Pretendimi: Ky imazh tregon deputeten e Partisë Socialiste Iris Luarasi
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
———————————————————————-
Një imazh që pretendohet se tregon deputeten e Partisë Socialiste Iris Luarasi po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse si ilustrim i lajmit se një protestuese që ka patur një përballje me Luarasin më 8 shtator është arrestuar në orët e vona të natës pas denoncimit të deputetes.

Luarasi ka mohuar lajmin se protestuesja që ishte përballur me të ishte arrestuar si pasojë e denoncimit të deputetes. Megjithatw, vetë protestuesja në fjalë, Arvina Lleshi, deklaroi në rrjete sociale disa orë pas Luarasit se ishte shoqëruar për të dhënë një deklaratë “lidhur me një denoncim të bërë nga deputetja Iris Luarasi,” krahas një numër akuzash të tjera që lidhen me protestimin.
“Për denoncimin e deputetes Iris Luarasi dhashë deklaratë përpara OPGJ-së, në prani të avokatit, dy punonjëseve femra dhe një punonjësi policie mashkull. E kundërshtova denoncimin, duke sqaruar se nuk kam asgjë personale me znj. Luarasi…” shkruan Lleshi.
Policia e Shtetit nuk ka konfirmuar ende nëse ka patur apo jo një kallzim zyrtar nga deputetja Luarasi. Njoftimi zyrtar i fundit konfirmon arrestimin e një protestuesi dhe procedimin penalisht të 15 personave të tjerë të përfshirë në protestën e datës 10 shtator.
Megjithatë, imazhi i Luarasit që është përdorur për të ilustruar lajmin është i pavërtetë. Ai është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.
Me anë të motorit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti imazhin origjinal që është përdorur për të gjeneruar imazhin e mësipërm, botuar në rrjetet sociale të Luarasit në mars 2026.

Foto origjinale (majtas) dhe foto e gjeneruar (djathtas)






