Pretendimi: Sondazhi i fundit nga instituti gjerman “FORSA” parashikon se PD do të marrë 74 mandate në zgjedhjet e 11 majit dhe Sali Berisha ka një avantazh prej 6 pikësh ndaj Edi Ramës.
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————-
Ndërsa zgjedhjet parlamentare të 11 majit afrohen, në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se një sondazh i institutit gjerman Forsa parashikon se koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike do të marrë 74 mandate në këto zgjedhje, ndërsa Sali Berisha ka një avantazh prej 6 pikësh ndaj Edi Ramës.
Pretendimi i mësipërm me gjasa e ka zanafillën nga një postim i 29 prillit i ish-deputetit Nard Ndoka.
Asnjëri prej postimeve të mësipërm nuk përfshin ndonjë lidhje apo referencë që e drejton lexuesin tek sondazhi në fjalë. Më tej, nuk specifikohet se nga kush është porositur ky sondazh i pretenduar, gjë që do e bënte gjetjen e tij më të lehtë.
Në faqen zyrtare të institutit Forsa, një nga kompanitë kryesore të studimit të tregut dhe sondazheve të opinionit në Gjermani, nuk gjenden sondazhet e kryera prej tyre, si rregull për llogari të një institucioni tjetër.
Një kërkim me anë të motorit kërkim pamor Google Lens tregon se diagramet e mësipërme nuk figurojnë të botuara në rrjet ndokund veç postimeve të zotit Ndoka.
Njësoj, kërkime me fjalë kyçe nuk nxjerrin asnjë sondazh të tillë të botuar ndokund në rrjet.
Si rrjedhim, pretendimi se instituti Forsa ka kryer një sondazh për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri mbetet i paprovuar.