BallinaPertejHapet kopshti dhe parashkollori në fshatin Zall Dajt, pas artikullit të Faktoje

Hapet kopshti dhe parashkollori në fshatin Zall Dajt, pas artikullit të Faktoje

Pas thuajse tri dekadash, fëmijët në fshatin Zall Dajt të Tiranës, do të kenë shërbim parashkollor dhe kopsht. Kjo problematikë mori zgjidhje pas një artikulli të publikuar nga Faktoje në muajin nëntor. Nga një verifikim që bëmë në këtë shkollë në dhjetor, prindërit rrëfyen emocionet që më në fund edhe fëmijët e tyre do ta nisin rrugën e dijes si të gjithë bashkëmoshatarët e kryeqytetit.

………………………………………

Një muaj e gjysmë më parë, saktësisht më 10 nëntor, Faktoje publikoi një artikull ku ndër të tjera ngrihej si shqetësim mungesa e kopshtit dhe arsimit parashkollor në Zall Dajt, një fshat vetëm 15 km larg qendrës së kryeqytetit.

Në lidhje me këtë problematikë, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë së Tiranës, për të mësuar nëse ishin në dijeni të këtij fakti dhe çfarë zgjidhjeje do të ofronin për fëmijët e kësaj zone.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë së Tiranës, 2 dhjetor 2021

Dy javë pas kërkesës për informacion, morëm një përgjigje nga Drejtoria e Përgjithshme e Kopshteve dhe e Çerdheve, institucion në varësi të Bashkisë së Tiranës, ku konfirmohej edhe lajmi i mirë për vogëlushët e Zall Dajtit.

Përgjigja, e cila mban datën 15 dhjetor, mbërriti me postë në zyrat e Faktoje më 17 dhjetor dhe DPÇK bën të ditur se që prej 16 dhjetorit ka nisur ofrimi i shërbimit parashkollor për fëmijët.

“Në vijim të komunikimit me drejtorin e shkollës 9-vjeçare ‘Hamdi Mansaku’ Zall Dajt dhe Njësinë Administrative Zall Bastar, u bënë verifikimet e nevojshme nga grupi i monitorimit të DPÇK, me qëllim ofrimin e shërbimit parashkollor për fëmijët e Njësisë Administrative Zall Bastar, grupi Zall Dajt, i cili do të funksionojë brenda godinës së shkollës ‘Hamdi Mansaku’, Zall Dajt.

Sa më sipër, referuar listës emërore të fëmijëve të grupit parashkolor Zall Dajt, DPÇK ka ndjekur procedurat e nevojshme për të bërë të mundur funksionimin e këtij grupi, duke filluar nga data 16.12.2021 e në vazhdim”- njofton Drejtoria e Përgjithshme e Kopshteve dhe e Çerdheve.

Pas kësaj përgjigjeje të DPÇK, Faktoje vendosi të bwnte një verifikim në terren, për të konfirmuar nëse kishte nisur të funksiononte shërbimi parashkollor në Zall Dajt. Ne takuam mësues dhe prindër, të cilët na konfirmuan se parashkollori ishte vendosur brenda ambienteve të shkollës kolektive “Hamdi Mansaku”.

Grupi prej 18 fëmijësh kishin një edukatore dhe vogëlushët ishin të moshave 3-5 vjeç. Pra, ishte kopsht dhe parashkollor në një klasë, pasi sipas mësuesve dhe prindërve, numri i fëmijëve është i ulët që të funksionojnë të ndarë.

“Pranohen fëmijë nga 3-5 vjeç, janë 18 fëmijë në klasë dhe kanë një edukatore. Orari është 9:00-14:00 dhe ka më shumë se një javë që ka nisur puna”, bënë të ditur mësuesit.

Foto nga kopshti I ri

Suela, prind i një vajze 4-vjeçare, u shpreh për Faktoje se është mjaft e lumtur që tashmë fëmija i saj do të shkojë në kopsht. Ajo theksoi se pas 29 vitesh kjo zonë u bë sërish me kopsht, duke treguar edhe problemet e shumta që kanë hasur me fëmijët gjatë këtyre viteve.

“Vajza ime është 4 vjeçe, është në kopsht. Jemi shumë të kënaqura, kanë ecur mirë këto ditë. Të shohim si do shkojë më tutje. Mësuesja është shumë e mirë, e sjellshme, fëmijët janë të kënaqur. Vajza ime mezi pret që të vijë mëngjesi që të shkojë në kopsht.

Ne kemi vite që e kemi ngritur si problem mungesën e kopshtit në këtë zonë. Që nga brezi im, 28-29 vite më parë, nuk ka pasur më kopsht këtu. Tani kanë ecur mir, vajza ime ka nisur të mësojë numrat dhe po ngjyrosin. Gjëja më kryesore është që zhvillohet fëmija, përgatitet për shkollë, por mësohet edhe me shoqëri. Për ne si prindër është lehtësim i madh. Bëjmë punët rehat, mendjen e kemi të qetë që fëmija është i sigurt” – tha ajo.

Pamje nga parashkollori në Zall Dajt, dhjetor 2021

Ndërsa, Meleqja, nëna e një fëmije 3-vjeçar na rrëfeu sa i emocionuar është djali i saj që tashmë një pjesë të mirë të kohës e kalon me shokët dhe shoqet.

“Jemi shumë të kënaqur. Më parë i mbanim fëmijët në shtëpi, me sakrifica të mëdha, do i mësonim vetë. E kemi vuajtur me nipërit dhe mbesat, i mësonim vetë nga fillimi, lodhje e tepërt, sepse duhet ta mësoje nga 1 e deri të A-ja vetë, çdo gjë.

Fëmija tani ndihet i detyruar edhe nga shokët që duhet të mësojë, ndërsa në shtëpi nuk bindej. I dukej si lojë në shtëpi, rrinte duke parë televizor gjithë kohës. Tani kanë qejf kur marrin ‘yll’ në kopsht dhe shkojnë me dëshirë”- u shpreh ajo.

Pamje nga parashkollori në Zall Dajt, dhjetor 2021

Mungesa e parashkollorit dhe e kopshtit në këtë zonë kishte penalizuar dhjetëra  fëmijë, të cilët dërgoheshin direkt e në bankat e shkollave dhe për më tepër, në klasa kolektive, pa mësuar gjërat më elementare, si shkronjat dhe numrat.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img