Foto e një grupi ushtarësh duke ecur përgjatë një rruge po shpërndahet në rrjet me pretendimin se tregonin brigadën izraelite “Jaafani”, e cila ishte asgjësuar nga Hamas. Verifikimi i Faktoje zbuloi se foto është e vitit 2013 dhe tregon ushtarë izraelitë gjatë një stërvitjeje.

———————————–

Në rrjete sociale po shpërndahet foto e disa ushtarëve duke ecur, shoqëruar me pretendimin se ata i përkasin “Brigadës Jafaani” të ushtrisë izraelite. Pretendimi përfshin gjithashtu një përshkrim të detajuar të mënyrës se si ky batalion izraelit u shkatërrua.

Një lajm i tillë duhet të kishte bërë xhiron e mediave, kështu Faktoje bëri një kërkim në rrjet për të gjetur më shumë detaje rreth kësaj ngjarjeje.

Çuditërisht, një kërkim i fjalëve “Brigada Jafaani” në Google dha një rezultat të vetëm: një postim në Twitter, i cili duket se është përkthyer në shqip, dhe po qarkullon edhe në rrjetet sociale shqipfolëse.

Duke qenë se nuk mund të gjenim asnjë informacion mbi të ashtuquajturën Brigadë Jaafani, Faktoje përdori motorin e kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, për të identifikuar foton e përdorur në postim.

Megjithatë, as këtu nuk patëm fat. 

Foto e mësipërme nuk tregon Brigadën Jaafani kohët e fundit. Ajo është botuar në rrjet mbi 10 vite më parë, në vitin 2013, dhe tregon “ushtarë izraelitë nga brigada e parashutistëve duke marrë pjesë në një stërvitje në Golanin e pushtuar nga Izraeli, pranë kufirit me Sirinë në 9 shtator [2013].”

Ky pretendim është përgënjeshtruar edhe nga kolegët tanë të Hibrid.info.