.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookGripi i zakonshëm nuk u shndërrua në Covid, shifrat e ulëta pasojë e izolimit dhe maskave 

Gripi i zakonshëm nuk u shndërrua në Covid, shifrat e ulëta pasojë e izolimit dhe maskave 

Një grafik i OBSh që tregon uljen e rasteve të gripit në vitet 2020 dhe 2021 po përdoret nga konspiracionistët për të pretenduar se pandemia e Covid-19 ishte një mashtrim. Verifikimi i “Faktoje” shpjegon se rastet e gripit u ulën këto vite si pasojë e masave që u morën për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Një grafik i Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSh) që tregon uljen e rasteve të gripit në vitet 2020 dhe 2021 po qarkullon në rrjete sociale me pretendimin se pandemia e Covid-19 ishte në fakt thjesht raste të gripit të prezantuara si një virus i ri. “Grafiku është i OBSH. Ku dreqin u zhduk gripi në 2020/2021…..Ah…. Po…. Ka ndërruar emër… Quhet cov….”, shkruhet në postimin që shoqëron një grafik zyrtar të OBSH.

Në të vërtetë, sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), OBSh, dhe një sërë hulumtuesish dhe shkencëtarësh, rënia e theksuar e rasteve të gripit në vitet 2020-2021 erdhi me gjasa si pasojë e masave të marra për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Duke qenë se gripi përhapet nga një trup tek tjetri me anë të stërkalave të pështymës, njësoj si Covid-19, masat që u morën në mbarë botën si mbajtja e maskave, distancimi social, larja e shpeshtë e duarve dhe qëndrimi në shtëpi parandaluan si përhapjen e gripit dhe atë të Covid-19.

Megjithatë, gripi dhe Covid-19 janë dy sëmundje të ndryshme që shkaktohen nga viruse të ndryshme. Gripi shkaktohet nga një familje virusesh të quajtur Orthomyxoviridae. Ndërkohë, Covid-19 shkaktohet nga një lloj specifik koronavirusi që u identifikua për herë të parë në 2019, dhe u quajt SARS-CoV-2. Ky i fundit përhapet më me lehtësi se sa viruset që shkaktojnë gripin. 

Kështu, zhdukja e gripit në 2020-2021 nuk është mister, apo tregues se pandemia e Covid-19 ishte një konspiracion. Ajo është shpjeguar tashmë nga shkencëtarët si një efekt anësor i masave mbarëbotërore për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img