BallinaPertejGratë në fshat, jashtë tregut të punës 

Gratë në fshat, jashtë tregut të punës 

Nga Esmeralda Keta 

Milidija, nënë e tre fëmijëve të mitur në Gostil të Kukësit, nuk ka punuar asnjë ditë. Sapo ka lënë pas të 30-at, por angazhimi i saj lidhet vetëm me mirërritjen e fëmijëve dhe mbarëvajtjen e shtëpisë.  

“Edhe sikur të dua, është e pamundur. Nuk kam ku e lë vajzën e vogël, sepse këtu nuk ka çerdhe”,  rrëfen ajo.

Dy fëmijët më të rritur i ka njërin në shkollë dhe tjetrin në kopësht, por edhe ky institucion ofron përkujdes deri në orën 13:00, pasi është pa drekë. 

Ne foto: Milidija, nena e tre femijeve

“Jemi në vështirësi ekonomike dhe dua të punoj, por këtu punë nuk ka. Nëse do punë duhet të shkosh në Kukës. Po me çfarë të shkoj? Autobus nuk ka, duhet të paguash furgonin… nuk ia vlen”,  thotë ajo e demoralizuar edhe nga përpjekjet e dështuara të bashkëshortit për të siguruar një punë stabël. 

Familja jeton me ato pak të ardhura nga bujqësia dhe punët sezonale të bashkëshortit, që shkon e punon në Prizren. 

Tregu i punës

Gostili, një lagje periferike dhe vetëm 3 km larg qytetit të Kukësit, nuk ofron asnjë mundësi punësimi për gratë e kësaj zone. 

“Asnjë grua në lagjen tonë nuk punon jashtë shtëpisë, se nuk kanë ku i lënë fëmijët. Merren vetëm me bujqësi dhe punë shtëpie”,  thotë Milidija, që ka arsimin e mesëm.

Njëjtë si ajo, gratë në zonat rurale të vendit, mbeten larg tregut të punës, për shkak të mungesës së shërbimeve publike më bazike siç janë çerdhet dhe transporti publik. 

KLSH

“Mungesa e shërbimeve të kujdesit për fëmijët në zonat rurale kufizon ndjeshëm mundësinë e grave për t’u përfshirë në tregun e punës”,  citon raporti i KLSH-së 

“Programet e punësimit apo trajnimet profesionale mbeten të paarritshme për gratë” – KLSH

“Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale, përmes përfshirjes në tregun e punës” që auditoi performancën e shërbimeve publike përgjatë periudhës 2019-2023 në 13 bashki të vendit (Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Krujë, Elbasan,  Kavajë, Divjakë, Lushnjë, Berat, Pogradec, Vlorë dhe Gjirokastër) si dhe Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësimit.

Foto e nje shtepie ne Kukes

Raporti citon se situata rëndohet edhe më tej nga distancat e mëdha dhe mungesa e transportit publik, që e bëjnë të pamundur lëvizjen drejt qendrave ku ka mundësi punësimi.

“Në këto kushte, edhe programet e punësimit apo trajnimet profesionale mbeten të paarritshme për gratë”,  thotë KLSH.

Dokumentet zyrtare 

Kjo situatë pranohet edhe nga një sërë dokumentash zyrtarë. 

Strategjia kombëtare për barazinë gjinore 2021-2030 pranon se pavarësisht disa përparimeve “gratë dhe burrat nuk gëzojnë të drejta të njëjta në praktikë” dhe gratë përballen me nivele më të larta papunësie dhe janë të përqendruara në sektorë me paga më të ulëta. 

“Ende vazhdojnë të ekzistojnë pabarazitë shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore”,  thuhet në këtë strategji. 

 Në të gjithë dokumentin strategjik dhe planin e veprimit, theksohet rëndësia e mbështetjes, trajtimit dhe fuqizimit të grave dhe vajzave në tërësi, përfshirë edhe nga grupe të cënueshme e që pësojnë diskriminim të shumëfishtë si: gra dhe vajza nga zonat rurale, nëna të vetme, të dhunuara, të moshuara, azilkërkuese, etj.

Mungesa e çerdheve “penalizon” gratë

Kohën kur dy fëmijët e saj më të rritur janë në shkollë dhe në kopësht Milidija e shfrytëzon për t’u marrë me punët e shtëpisë, por edhe ndonjë vizitë tek të afërmit. 

“Edhe pse është deri në drekë kopshti më ndihmon shumë. Këtë kohë e shfrytëzoj për t’u marrë me punë të ndryshme shtëpie se fshati ka shumë punë, por edhe për të shkuar për ndonjë vizitë tek të afërm e familjarë”,  tregon ajo. 

Bashkia    

Bashkia e Kukësit i tha “Faktoje” se ka vetëm 3 çerdhe, por që të treja ndodhen në qytetin e Kukësit dhe asnjë në zonat rurale, duke u mohuar mijërave familjeve që jetojnë në këto zona që të mund ta përfitojnë këtë shërbim. Po ashtu bashkia e Kukësit tha se ka 84 kopshte, por vetëm 3 prej tyre janë me drekë dhe që të tre janë në qytetin e Kukësit.

Të dhënat e mbledhura nga Faktoje nëpërmjet të drejtës për informim tregojnë se thuajse në shumicën e bashkive të audituara nga KLSH (13 të tilla) raporti i çerdheve dhe kopshteve nuk është i balancuar mes zonave urbane dhe rurale, duke krijuar mungesë të theksuar shërbimesh në fshatra. 

Por kjo situatë haset edhe në kryeqytet.  Nga të dhënat e vëna në dispozicion për Faktoje nga bashkia e Tiranës, konfirmohet se ka çerdhe vetëm brenda qytetit, konkretisht 60 kopshte dhe 45 çerdhe. 

Ndërkohë pa këtë shërbim bazik janë edhe zonat e mbipopulluara si Yzberishti, Kashari, Vaqarri apo Petrela.   

Situata 

Bashkia e Tepelenës tha se kishte 15 kopshte, por vetëm një çerdhe që ndodhet në qytetin e Tepelenës.  Bashkia e Vlorës po ashtu thotë se ka nën administrim 42 kopshte, por vetëm 3 çerdhe, që të treja në qytetin e Vlorës. Edhe Dibra deklaron se ka vetëm 3 çerdhe në qytet, ndërsa numëron 865 kopshte të shpërndarë në të gjithë territorin. 

Sipas KLSH, asnjë prej 13 bashkive të audituara nuk ka transport publik, që lidh zonat rurale me qytetin, duke e bërë edhe më të vështirë integrimin e grave në tregun e punës.  

Rifat Demalia, aktivist dhe drejtor i Qendrës për Progres Rinor në qytetin e Kukësit, thotë se përveç mungesës së shërbimeve publike edhe mentaliteti është një tjetër faktor që i mban gratë jashtë tregut të punës në këtë rajon. 

“Është e vërtetë që në fshatra nuk ka çerdhe, por problemin më të madh unë e shoh tek mentaliteti: askush nuk i çon gratë të punojë në sektorin privat”,  thotë Demalia.

Harta e mungesës së shërbimeve publike shtrihet në të gjithë vendin duke krijuar një zinxhir përjashtimi për gratë. Si pasojë numri i atyre që mbeten jashtë tregut të punës është i madh duke i bërë ato të varura ekonomikisht.

Në këto kushte, edhe programet ekzistuese të punësimit rezultojnë joefektive. “Masat mbështetëse nuk arrijnë të kenë ndikim për sa kohë nuk adresohen kushtet bazë infrastrukturore”,  thotë raporti i KLSH.

Problematika 

Problemi, sipas ekspertëve lidhet edhe me mënyrën si planifikohen investimet. “Investimet publike nuk janë të orientuara në mënyrë të mjaftueshme drejt nevojave specifike të grave në zonat rurale si hapja e çerdheve apo transporti publik”,  thotë ekspertja e ekonomisë Suzana Guxholli.

Sipas saj, edhe nëse do të duan të fillojë  punë gratë e kanë të pamundur për shkak të mungesës së kualifikimeve. 

“Është një rreth vicioz, gratë kontribuojnë më shumë në bujqësi, dhe ky sektor është lënë të vdesë, kështu që edhe gratë penalizohen”,  thotë ajo.

Transporti 

Mungesa e transportit publik shihet si një tjetër barrierë që i mban gratë dhe vajzat larg tregut të punës. Në shumicën e bashkive të pyetura nga Faktoje nuk ekziston transport publik nga zonat rurale drejt qendrave administrative. Kjo është identifikuar si pengesë edhe nga raporti i KLSH-së. 

“Për rrjedhojë, nuk sigurohen kushte lehtësimi, për të afruar gratë dhe vajzat sa më afër tregut të punës, duke penguar forcimin e pozitës së gruas në shoqëri”,  evidenton KLSH.

Të papaguara 

As Blerta nuk ka punuar asnjëherë deri më tani. Ajo e kalon ditën duke u marrë me kujdesin për shtëpinë, rritjen e fëmijëve dhe punë në bujqësi. Të gjitha punë të papaguara, por Blerta as nuk e mendon këtë. 

Ne foto: Blerta qe merret me rritjen e femijeve

“Burri është në punë dhe unë merrem me gjërat e shtëpisë, për familjen time po punoj”,  thotë ajo. 

Për ekspertët mungesa e shërbimeve publike bazike ka pasoja të drejtëpërdrejta, kryesisht tek gratë. 

“Ende fëmijët dhe mirëmbajtja e shtëpisë shihen si një gjë që u takon vetëm grave. Si pasojë ato mbeten të angazhuara kryesisht në punë të papaguar familjare dhe pa mundësi për pavarësi ekonomike”,  thotë Suzana Guxholli.

Duke iu referuar strategjisë kombëtare të punësimit dhe aftësive 2020-2030 vajzat dhe gratë rezultojnë në një pozitë më të pafavorshme se meshkujt në të gjithë treguesit e punësimit në vend duke krijuar një hendek gjinor. 

“Pavarësisht përpjekjeve të viteve të fundit për aktivizimin e grave, ende mbetet shumë për t’u bërë drejt barazisë gjinore në punësim. Meqenëse punësimi është i lidhur ngushtë edhe me faktorë të tjerë të rëndësishëm si: hendeku gjinor, puna e papaguar, kontributi në familje, balancimi i jetës personale me atë profesionale, ofrimi i shërbimeve të përkujdesit nga gratë për fëmijët, të moshuarit apo familjarë në nevojë, kushtet për punësim të denjë, mbrojtja nga ngacmimi seksual në vendin e punës etj., është e nevojshme që kjo problematikë të vazhdojë të adresohet në të ardhmen”, thuhet në këtë strategji. 

INSTAT

Një realitet jo optimist refletojnë edhe të dhënat e INSTAT, “Gratë dhe Burrat në Shqipëri”, ku shihet një diferencë në pjesëmarrjen mes gjinive në tregun e punës, ku burrat përfaqësohen me 82,3 % ndërsa gratë me 69,3 %. 

Një pjesë e madhe e tyre janë të punësuara pa pagesë në biznesin e familjes, konkretisht 28,5 %. 

Hendeku 

Hendekun gjinor e tregojë edhe shifrat e papunësisë mes burrave dhe grave që janë respektivisht 8,9 %, dhe 10,0 %, por 14,0 % e grave deklarojnë se janë inaktive në tregun e punës, duke përmbushur detyrat shtëpiake. Përkundër kësaj shifre të lartë të grave vetëm 0,4 % e burrave e deklarojnë këtë si shkak inaktiviteti.

Aktivisti Demalia shpjegon se në Kukës gratë janë kryesisht të punësuara në sektorin publik, më së shumti në mësuesi dhe shëndetësi, por kur vjen puna tek sektori privat ai dominohet nga burrat. 

“Duhet të marrin në konsideratë se oferta e sektorit privat është shumë minimale, në Kukës nuk sheh kamariere apo banakiere gra”,  thotë Demalia. 

Guxholli është skeptike. Sipas saj, politikat dhe strategjitë do të vazhdojnë të mbeten dokumente të bukura në letër, nëse nuk ka ndërhyrje konkrete. 

“Problemi duhet parë në qelizë, duhen ndërhyrje në çdo qelizë. Duhen më shumë investime në infrastrukturë sociale dhe politika të targetuara, në të kundërt, barazia gjinore, qoftë në tregun e punës qoftë në sektorë të tjerë do të mbetet vetëm në letër”,  thotë ajo.

Blerta nuk e sheh veten vetëm brenda shtëpisë. Ajo shpreson që me rritjen e fëmijëve të ketë mundësi që të gjejë një punë. 

“Pas disa vitesh, kur të më rriten fëmijët, dua të kem një punë. Nuk ka si lekët që fiton vetë”, përfundon ajo. 


Ky shkrim publikohet në kuadër të konkursit vjetor “Fatos Baxhaku”, pjesë e nismës Truth Beyond Numbers, e zbatuar nga Faktoje përmes mbështetjes së programit MATRA të Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Pikëpamjet e shprehura në shkrime i përkasin autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img