BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëGjysmë e vërteta e inflacionit të ulët në Shqipëri

Gjysmë e vërteta e inflacionit të ulët në Shqipëri

Statistikisht Shqipëria është vendi me normën më të ulët të inflacionit në rajon dhe qëndron më poshtë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian. Por ekspertë të ekonomisë dhe financave në Shqipëri janë mosbesues mbi metodologjinë e përllogaritjes së inflacionit nga INSTAT, bazuar mbi disa argumenta.

Esmeralda Topi

“Është e rëndësishme të theksohet se inflacioni në ekonominë tonë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, apo me mesataren e BE-së, ka qenë ndjeshëm më i ulët.”- deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me përfaqësuesit e FMN-së dhe Bankës së Shqipërisë.

10 tetor 2022

 

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje bëri një verifikim mbi të dhënat zyrtare të inflacionit në rajon edhe Europë.

E vërteta është që lufta e Rusisë në Ukrainë po rëndon çdo ditë e më shumë mbi ekonomitë e eurozonës. Agjencia e Statistikave Europiane, Eurostat, raporton se inflacioni në eurozonë në muajin shtator arriti në 10.0 %, duke vendosur një tjetër rekord negativ të impaktit që po sjell konflikti Rusi-Ukrainë në çmimet e energjisë dhe ushqimeve bazë.

Inflacioni vjetor në eurozonë dhe komponentët e tij, EUROSTAT

Sipas EUROSTAT vendet ballktike janë më të prekurat nga inflacioni i lartë, përkatësisht Estonia me 24.2%, Lituania me 22.5% dhe Letonia me 22.4%, ndërsa norma më e ulët e inflacionit është shënuar në Francë me 6.2%.

Normat e inflacionit %, EUROSTAT

Nga ana tjetër rritja e çmimeve po rëndon edhe mbi ekonomitë e rajonit. Sipas të dhënave të përpunuara nga Faktoje, Maqedonia e Veriut, Mali i zi dhe Bosnje Hercegovina kanë zyrtarisht normat më të larta të inflacionit nga janari në shtator.

Inflacioni (janar-shtator)

Shqipëri Serbi Maqedonia e Veriut Mali i zi Bosnje Hercegovina Kosova
Janar 8.2% 6.7% 5.7% 7% 7.1%
Shkurt 8.8% 7.6% 6.7% 8.1% 7.5%
Mars 9.1% 8.8% 9.7% 10.2% 10%
Prill 9.6% 10.5% 11.2% 13.2% 11.2%
Maj 10.4% 11.9% 11.7% 14.4% 12.5%
Qershor 11.9% 14.5% 13.5% 15.8% 14.1%
Korrik 12.8% 16% 14.9% 16.7% 14.2%
Gusht 13.2% 16.8% 15% 16.8% 13%
Shtator 14% 18.7% 16% 12.7%

 

Statistikisht Shqipëria rezulton vendi me normën më të ulët të inflacionit në rajon dhe po ashtu ka indeksin e çmimeve të konsumit më poshtë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian.

“Unë nuk mendoj se ne jemi më ulët se vendet e tjera, kam përshtypjen që është çështje metodologjie dhe e matjes së inflacionit. Dy janë grup-mallrat që kanë pësuar rritjen më të fortë: ushqimet dhe energjia. Është e vërtetë që në Shqipëri nuk është rritur ende energjia elektrike, por nafta që hyn tek shpenzimet kryesore ka pësuar rritjen më të lartë dhe më të shpejtë të çmimit. E dyta, rritja tjetër është tek grupi i artikujve bazë të ushqimeve në të gjithë botën. Dhe ajo që nuk më bën sens mua është që në Shqipëri këto çmime përbëjnë gati 43% të shportës së konsumit. Si ka mundësi që ne shpenzojmë katër herë më shumë të ardhura proporcionalisht në ushqim, pije dhe duhan rezultojnë me inflacionin më të ulët kur kjo kategori mallrash ka rritjen më të lartë? Kjo nuk më shkon. Unë them që ka probleme të metodologjisë, të matjes së inflacionit.” – argumenton për Faktoje Profesor Selami Xhepa, një nga ekspertët më të mirë të ekonomisë dhe financave në Shqipëri.

Edhe ish drejtuesja e Institutit të Statistikave në Shqipëri, Ines Nurja, është në të njëjtën linjë me argumentin e profesor Xhepës.

“Ne peshën kryesore e kemi tek ushqimet dhe të gjithë e dimë që ushqimet janë rritur në mënyrë drastike. Vaji, sheqeri, orizi, makaronat janë rritur ndjeshëm këtë vit. Për shembull, një qumësht që unë e kam pas blerë 190 lekë ka shkuar 285 lekë që është rritje mbi 50% e çmimit. Një tjetër element që ndikon tek buxheti i familjeve shqiptare është grupi ujë, qira, lëndë djegëse. Dhe këto nuk ka mundësi që të jenë rritur 4.9% sepse ne e dimë se sa ka shkuar çmimi i qirasë për një shtëpi në Tiranë apo se sa kushton nafta. Popullsia është e përqendruar në Tiranë dhe kryeqyteti vë vulën kryesore të rritjes së çmimeve, ndaj çdo çmim i shtrenjtë në Tiranë do të ndikonte në inflacionin e përgjithshëm, siç ndikon edhe tek konsumi. Për mua të dhënat janë të deformuara, nuk janë të sakta.”- thekson Nurja për Faktoje.

Rritja e shpejtë e çmimeve këtë vit i ka vënë familjet shqiptare në vështirësi. Në një vëzhgim nga Faktoje, gjatë muajit tetor rezultoi se përballë kostove të rritura, familjet kanë pakësuar blerjet për ushqimet bazë.

Inflacioni si në ’97-n! Ekspertët këshillojnë masa për kategoritë vulnerabël për të shmangur konfliktin social – Faktoje.al

Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë se inflacioni në muajin shtator arriti në 8.1%, ndërkohë që parashikimet flasin për rritje të mëtejshme të çmimeve. Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të rikthehet në objektivin 3% në gjysmën e parë të vitit 2024.

 

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img