Gjykata e Lartë e ShBA nuk ka vendosur kundër vaksinimit Covid-19 në një çështje të sjellë para saj nga Robert F. Kennedy Jr. Verifikimi i Faktoje zbuloi se vetë Kennedy Jr. e ka mohuar pretendimin keqinformues që qarkullon në rrjet nga 2021.
——————————-
Në një titull masiv, një artikull i portalit sot.com.al i publikuar në 5 shkurt, njofton se: “Nipi i John F. Kennedy nxjerr mashtrimin me vaksinat e Covid-19, rrezikohet që te personat e vaksinuar të shfaqen efekte anësore të panjohura, Gjykata e Lartë amerikane konfirmon dëmet e parikuperueshme në ADN, fillojnë telashet me drejtësinë për gjigantët farmaceutikë dhe zyrtarë të lartë të BE.”
Artikulli i portalit sot.com.al
Në brendi, artikulli pretendon se “drejtësia e SHBA vërtetoi se vaksinat kundër Covid-19 nuk janë vaksina” dhe se “Gjykata e Lartë konfirmon se dëmi i shkaktuar nga terapitë gjenetike të ADN-së nga Covid është i pariparueshëm.”
Artikulli nuk i referohet ndonjë burimi apo dokumenti që provon këtë pretendim.
Nga një kërkim në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë amerikane nuk rezulton se ky trup ka shqyrtuar apo vendosur mbi ndonjë çështjë të tillë.
Ndërkohë, “nipi i John F. Kennedy” Robert F. Kennedy Jr., i cili përmendet në artikull, ka thënë në 2021 për Associated Press se pretendimi se ai ka çuar këtë çështje në Gjykatën e Lartë është keqinformim. Ai tha se ka qenë i përfshirë në dhjetëra padi që kanë të bëjnë me sigurinë e vaksinave, por asnjëra prej tyre nuk ka shkuar deri në Gjykatën e Lartë.
“Artikulli për Gjykatën e Lartë është keqinformim,” tha Kennedy. “Deklarata është e sajuar. Dukshëm dikush e ka sajuar dhe e promovon sepse i njejti citat rikthehet pavarësisht se sa herë unë e mohoj. I njejti artikull vijon të shfaqet.”
Ai i referohet faktit që ky pretendim i rremë ka që në vitin 2021 që qarkullon në rrjet, në gjuhë të ndryshme. Ai është përgënjeshtruar edhe nga kolegët ndërkombëtarë.