Raimond Kola
Në qarkun Gjirokastër rezultojnë të vaksinuar kundër Covidit vetëm 60 % e administratës dhe personelit të shërbimeve tregtare, kur kanë kaluar rreth dy muaj urdhëri i Mininistrisë së Shëndetësië për vaksinimin e detyruar të këtyre dy kategorive. Nga një verifikim për Faktoje rezultoi se bashkitë e vogla në Gjirokastër kanë nivel më të lartë vaksinimi të administratës. Ndërkohë krahasimi i shifrave, tregoi se Gjirokastra sivjet ka shënuar rreth 400 raste më shumë të prekurish me Covid se të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u renditur ndër 6 qarqet me përhapjen më të madhe të pandemisë në rang vendi.
Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi më 2 dhjetor të vitit të shkuar vendimin për vaksinimin e detyruar të administratës publike.
Zv.Ministrja së Shëndetësisë Mira Rakacolli deklaroi se punonjësit e administratës publike, punonjësit e supermarketeve dhe qendrave tregtare që nuk janë vaksinuar, duhet të kryejnë vaksinën, pasi prej datës 4 Janar do të kërkohet karta e vaksinimit ose prova e testit PCR negative çdo 5 ditë.
Nga një verifikim gjatë muajit janar e në vijim rezulton se Institucionet publike në Qarkun e Gjirokastrës nuk po i përgjigjen vaksinimit të detyruar të personelit të tyre. Në një analizë të Shërbimit të Epidemiologjisë të këtij qarku është parë me shqetësim se institucionet shtetërore, bashkitë, entet publike kanë ende një masë të madhe të punonjësve të tyre të pavaksinuar.
Kontrolle për vaksinimin në zyrat e administratës, Gjirokastër, janar 2022
Burime në analizën vjetore të Shërbimit epidemiologjik të Gjirokastrës, në fund të muajit janar konfirmuan për Faktoje, se rreth 60 % e administratës publike në këtë qark është e vaksinuar. Ky është një tregues për ecurinë e ngadaltë në procesin e vaksinimit të këtyre katogorive, për të cilat Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu, në 7 janar garantoi se vaksinimi ishte kryer në masën 80% në rang vendi.
Screenshot i raportimit zyrtar të MSH, 7 janar 2022
Drejtori i Shërbimit të Epidemiologjisë në Gjirokastër Arenc Brahimaj tha se pritet të zhvillohet shumë shpejt një takim koordinativ me bashkitë dhe shumën nga entet shtetërore që kanë personel të madh për të nxitur këtë proces.
Arenc Brahimaj, Drejtor i Shërbimit të Epidemiologjisë, Gjirokastër
Sipas zotit Brahimaj Bashkia e Dropullit ka shifrat më të larta të vaksinimit, mbi 90% pasi një pjesë e stafit ka kryer vaksinime edhe në Greqi. Po kështu, sipas tij në Njësinë Administrative Picar është vaksinuar mbi 65% e administratës.
“Por në disa Bashki të tjera, shifrat janë më të ulta dhe kjo sidomos për ndërmarrjet që ato kanë në varësi. Në Bashkinë e Libohovës ka ende staf të pavaksinuar. Edhe në ndërmarrjet e tilla si OSHEE ka personel të pavaksinuar ndërsa në Universitetin e Gjirokastrës doza e tretë nuk është kryer nga pothuajse i gjithë personeli universitar.” – tha zoti Brahimaj
Kontroll i punonjësve të ISHSH për vaksinimet në një pikë shërbimi të telefonisë celulare, Gjirokastër janar 2022
“Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në Gjirokastër ka evidentuar situatën në mbi 90% të institucioneve”- tha drejtuesi i ISHSH, Edi Sinojmeri.
Sipas tij, në strukturat e administratës publike kanë kryer kontrolle për verifikimin e certifikatave të vaksinimit, vërtetimeve të shërimit apo testin e antigenit.
Nga data 1 janar 2022 janë vendosur 4 masa administrative, ndërsa në nivel kombëtar sipas të dhënave të IKSH janë vendosur rreth 50 masa administrative ndaj subjekteve të konstatuara në shkelje të ligjit.
Drejtori i ISHSH Gjirokastër, Edi Sinoimeri
Zoti Sinojmeri tha se mbi 30 punonjës të pavaksinuar në Gjirokastër nuk janë lejuar të futen në zyrat e administratës dhe kontrollet vijojnë.
Drejtuesit e Shërbimit epidemiolgojik në Gjirokastër vlerësojnë se nivelet e infektimeve me variantin e ri OMICRON mbeten mjaft të larta.
Sipas të dhënave nga Shërbimi Epidemiologjik Gjirokastër, duke iu referuar muajit Janar që u mbyll me rreth 3800 testime për COVID, rreth 1600 dolën pozitivë (përllogaritet që 1 në 2 persona të testuar rezulton i infektuar).
Sipas raportimit në faqen zyrtare të Minisrisë së Shëndetësisë në 31 Janar, Gjirokastra renditet e 6-a për numrin e infektimeve nga Covid në popullatë, në listën e qarqeve, që kryesohet nga Tirana dhe Shkodra.
Lista e qarqeve sipas numrit të të prekurve nga Covid, 31 janar 2022, burimi M.Sh
Po të merren në analizë shifrat e muajit janar të vitit 2021 lidhur me infektimet, nga rreth 1600 testime të kryera, vetëm 200 kanë rezultuar pozitivë, ndërkohë që raportimi zyrtar i MSH në 31 janar të vitit të kaluar, tregonte se Gjirokastra renditej ndër tre qarqet me numrin më të ulët të të infektuarve në popullatë me Covid 19, saktësisht 605.