BallinaAktualitetGjirokastra, mësim pa turne dhe me orë të plota në kushtet e Covid-19, shkak emigracioni masiv

Gjirokastra, mësim pa turne dhe me orë të plota në kushtet e Covid-19, shkak emigracioni masiv

RAIMOND KOLA

Gjirokastra, ndër qarqet që ka njohur emigracion masiv në vite, mund të konsiderohet e ‘favorizuar’ në drejtim të mbarëvajtjes së procesit mësimor, që ndryshe nga Tirana apo qarqe të tjera, zhvillon mësim të rregullt dhe në zbatim të masave anticovid. Edhe procesi i vaksinimit të stafit mësimor, i shpallur si një detyrim, ka ecur kënaqshëm. Nga 306 mësues, vetëm 14 kanë refuzuar për arsye shëndetësore. Ajo që raportohet si situatë problematike, në nisje të këtij viti shkollor, është aksesi në një shkollë në Cepo. E vetmja mënyrë për të arritur deri atje është të kalosh autostradën, në mungesë të një mbikalimi.

Numri i nxënësve ka ardhur vit pas viti në ulje në shkollat në Gjirokastër prej emigrimit të familjeve jashtë vendit, apo zhvendosjes në drejtim të Tiranës. Qarku i Gjirokastrës sipas të dhënave zyrtare është nga më të prekurit nga lëvizjet demografike të popullsisë, pothuajse me rreth 1,500-2000 banorë të larguar mesatarisht. Ka fshatra, sidomos ato të banuar nga pakicat greke, ku nuk ka fare fëmijë, për shkak të këtij fenomeni.

Por në situatën e pandemisë emigrimi i nxënësve duket se po “favorizon” zbatimin e masave antikovid.

Drejtoresha e Zyrës Arsimore në Gjirokastër Albana Hasanaj ka pohuar në fillim të vitit të ri shkollor 2021-2022 se në dy Bashkitë Gjirokastër dhe Libohovë, që mbulohen nga kjo zyrë, këtë vit shkollor numërohen 3732, nxënës nga të cilët 298 janë në klasë të parë.

Në 18 institucione shkollore që kanë gjithsej të dy bashkitë, vetëm në 6 prej tyre do të bëhet mësimi me dy turne ndërsa në 12 të tjera mësimi do të kryhet normalisht si në kushtet para pandemisë, me orë të plota 45 minutëshe. Drejtoresha e Zyrës Arsimore, Hasanaj pohoi se kushtet e objekteve ku zhvillohet mësimi janë optimale dhe masat e antikovid në përputhje të plotë me aktet ligjore në fuqi.

Drejtoresha e ZA Gjirokastër, Albana Hasanaj

Në orët e mëngjesit para se të nisë mësimi, raportohet se nxënësve u matet temperatura në hyrje të shkollës, ndërsa nuk lejohet shoqërimi i tyre nga prindërit në mjediset e brendshme.

Shkollat inspektohen nga punonjësit e shëndetit

“Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor po zhvillon kontrolle të shtuara me fillimin e vitit të ri shkollor”- thotë Edi Sinoimeri që drejton këtë institucion. Sipas tij, që në muajin gusht janë kryer inspektime në shkolla dhe kanë vijuar edhe në shtator për të verifikuar kushtet higjeno-sanitare të mjediseve të këtyre institucioneve.

“Këto kushte janë vlerësuar si optimale nga inspektorët, por tani që ka filluar viti i ri shkollor ato monitorohen drejtëprdrejtë, ditë pas dite” – tha për Faktoje zoti Sinoimeri, i cili thekson se inspektorët po bashkëpunojnë me drejtorët e shkollave dhe mësuesit kujdestarë për masat parandaluese si maskat, dezifektimin e institucioneve, ruajtjen e distancës në shkollat ku ka frekuentim më të madh.

Edi Sinoimeri, drejtor i ISSH në Gjirokastër

“Inspektoriati ka kërkuar certifikatat e vaksinave për mësuesit dhe stafet nga drejtoritë e institucioneve arsimore dhe inspektorët do jenë në terren për të zbatuar urdhëresat që vijnë në kuadër të masave antikovid” – përfundon drejtori i ISSH për në Gjirokastër.

Inspektorët në shkolla në Gjirokastër

Vaksinimi mësuesve në Gjirokastër, 14 prej tyre e kanë refuzuar vaksinën

Sipas të dhënave në të dy bashkitë Libohovë dhe në Gjirokastër, 307 mësues janë të vaksinuar plotësisht me të dy dozat e vaksinave, 40 mësues me një dozë vaksine dhe 14 mësues kanë refuzuar vaksinën me argumentin se kanë dokument mjekësor për probleme shoqëruese shëndetësore. Në kategorinë e mësuesve të pavaksinuar, janë edhe gra shtatëzëna, ose me probleme shëndetësore,  kategori e cila në mungesë të vaksinimit, duhet t’i nënshtrohet rregullisht kryerjes së tamponit për covid.

Vaksinimi i mësuesve

Burimet zyrtare pohojnë se në total 92% e mësuesve i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID.

Formular i refuzimit të vaksinës 

Aksesi në shkolla, probleme në zonën e Cepos

 Mediat vendore kanë ngritur shqetësimin se fëmijët që ndjekin mësimin në shkollën e bashkuar “Bilal Golemi” në Gjirokastër rrezikojnë jetën për të shkuar në shkollë pasi u duhet të kalojnë në autostardën Gjirokastër-Tepelenë çdo mëngjes. Kjo shkollë frekuentohet nga rreth 120 nxënës kryesisht banorë të fshatarve të zonës së Cepos.

Sipas vëzhgimeve të mediave, në orët e mëngjesit në këtë segment, zonë e quajtur “Ura e Kardhiqit”,  automjetet  kalojnë shpesh me shpejtësi, jashtë normave të lejuara.  Prindërit dhe nxënësit që banojnë në këtë zonë, e kanë ngritur dhe më parë këtë shqetësim dhe në mungesë të ndërtimit të një mbikalimi kanë kërkuar vendosjen e patrullave të policisë rrugore për të siguruar jetën e fëmijëve. Shqetësimi i prindërve përligjet edhe prej numrit të lartë të aksidenteve në këtë pikë përgjatë viteve të fundit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img