BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëLagjet 1 dhe 2 në Kukës, ende në pritje të investimeve nga bashkia

Lagjet 1 dhe 2 në Kukës, ende në pritje të investimeve nga bashkia

Rikualifikimi urban, shtimi i hapësirave të gjelbëruara, parqe për fëmijët dhe të moshuarit, ky ishte zotimi që kreu i bashkisë së Kukësit Safet Gjici, mori për banorët e lagjeve 1 dhe 2, të qytetit verilindor. Por dhe pse kanë kaluar 2 vite, banorët e këtyrë dy lagjeve, ende nuk kanë parë asgjë nga ndryshimet e premtuara.

———–

Kanë kaluar dy vite që nga koha kur kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, u premtoi banorëve të qytetit rikualifikim të lagjeve 1 dhe 2, që do të sillte përmirësimin e cilësisë së jetës së këtyre banorëve.

*Postimi në faqen zyrtare të kryebashkiakut Gjici

Faktoje iu rikthyer premtimit të bërë prej kreut të bashkisë për ta parë nëse është mbajtur. Fillimisht, Faktoje kontrolloi faqen zyrtare të bashkisë Kukës për të parë nëse ka ndonjë informacion publik mbi këtë projekt, por faqja rezulton në plotësim.

Hapi i dytë ishte dërgimi i një kërkese për informacion drejtuar bashkisë, përmes të cilës kërkuam të dimë nëse ka nisur investimi në këto dy lagje. Në përgjigjen e saj ky institucion na informoi se procesi i rehabilitimit është ende në fazën e hartimit të projektit.

*Përgjigjja e  bashkisë Kukës për Faktoje.al

Faktoje bëri një kërkim të imtësishëm në buxhetet e të paktën dy viteve të fundit të bëra publike në faqen zyrtare, por nuk ka asnjë projekt, i cili lidhet me këtë investim.

*Investimet sipas projekteve të bashkisë Kukës

 

Faktoje shkoi në terren për të parë sesi është gjendja reale e lagjeve për të cilat është premtuar rehabilimi. Gjendja në këto lagje, vijon të jetë ashtu si dhe një vit më parë, kur Faktoje monitoroi për herë të parë mbajtjen e premtimit.

*Lagjja 1 dhe 2 në Kukës

Nga ajo që vumë re në terren, banorët e këtyre lagjeve vijojnë të vuajnë problematikën me rrugët e brendshme.

“Në dimër është problem, shpesh rruga përpara pallatit përmbytet. Po edhe nga ana estetike, kur e shikon nuk është gjë e mirë”-shprehet P.R e  cila banon në lagjen nr 1.

*Lagjja 1 dhe 2 në Kukës

Ndryshe nga çfarë premtoi kryebashkiaku i Kukësit këto dy lagje, jo vetëm nuk janë rehabilituar, por nuk ka pasur asnjë shtim të parqeve dhe hapësirave rekreative.

 

Sipas të dhënave të Faktoje dhe sipas verifikimit në terren, premtimin per rehabilitimin e lagjeve 1 dhe 2 në Kukës, e kualifikojmë Të Pambajtur.

 “Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo, premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img