Pretendimi: Futbollistet e ekipit të Irlandës kthyen kurrizin në shenjë proteste gjatë himnit izraelit.

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————

Në 23 shkurt 2024, në stadiumin Air Albania në Tiranë, u luajt ndeshja e futbollit mes ekipeve të vajzave nën 17 vjeç të Irlandës dhe Izraelit.

Pas lojës, një sërë portalesh dhe mediash shqipfolëse nxituan të raportonin se ekipi irlandez kishte “injoruar” himnin e Izraelit, duke e lidhur këtë me ngjarjet në Gaza.

Në tekstin e kopjuar në masë, pretendohet se “vajzat e kombëtares së Irlandës u kthyen me shpinë në momentin që filloi të luhej himni i Izraelit”.

Çfarë është më ironik, është fakti se zanafilla e këtij keqkuptimi gjatë himnit irlandez duket se ka qënë një gazetar izraelit i quajtur Asaf Ackerman. Ai fotografoi momentin kur ekipi Irlandez u kthye me kurriz dhe e postoi foton në kanalin e tij X duke shoqëruar me postimin se lojtarët kishin organizuar një protestë duke kthyer shpinën teksa luhej himni izraelit.

Ackerman postoi: “Përshëndetje @UEFA dhe @FIFAcom, shikoni foton e lojtarëve të Irlandës (WomanU17) gjatë himnit kombëtar izraelit. Qëllimisht duke qëndruar me shpinë. Në të gjitha mesazhet tuaja zyrtare keni të shkruar fjalën Respekt. Ky nuk është ‘Respekt. Shpresoj se do të bëhet diçka për këtë incident”. 

Pas rrëmujës së shkaktuar foto u fshi nga profili i tij, por megjithatë pretendimi u mor nga një kanal televiziv publik izraelit dhe lajmi u shpërnda gjerësisht në mediat ndërkombëtare.

Mediat shqiptare, në mënyrë absurde, shumë nga artikujt që pohojnë në titull se kombëtarja irlandeze injoroi himnin izraelit, në brendinë e tyre e përgënjeshtrojnë këtë pretendim.

Në këto artikuj përfshihet edhe deklarata e Federatës së Futbollit të Irlandës, e cila sqaron se “të dyja skuadrat ishin me fytyrë nga i njejti drejtim gjatë himnit kombëtar të Izraelit, përpara se ekipi i Irlandës të kthehej me drejtim nga tringjyrëshi, siç është traditë në shumë ekipe Irlandeze, kur u luajt [himni irlandez] Amhrán na bhFiann.”

Siç mund të vërehet edhe në videon e plotë të ndeshjes, të dyja ekipet janë me fytyrë nga i njejti drejtim gjatë himnit izraelit (minutat 2:40 – 4:06). Kur vjen radha e himnit irlandez, ekipi i Irlandës kthehet me fytyrë nga ana tjetër.