Detyrimet e prapambetura të ministrive në vendin tonë tejkalojnë vlerën e 6,5 miliardë lekëve, sipas një raporti të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Pjesë e konsiderueshme e këtyre detyrimeve, janë pagesa për shkarkimet e padrejta nga puna brenda adminstratës publike. Në vendimet e gjykatës, shuma e dëmshpërblimit për largimin nga puna rritet në përpjestim të drejtë me kategorinë e nëpunësit civil. Ekspertët pranojnë se shkarkimit politike ndodhin edhe brenda një mandati qeverisës, një kosto jo vetëm financiare për taksapaguesit shqiptarë.
Detyrimet e prapambetura të ministrive në vendin tonë, deri në mars të vitit 2020 tejkalojnë vlerën e 6,5 miliardë lekëve.
Këto kosto i shtohen faturës së majme të Shqipërisë, të ndëshkuar me detyrimin mbi 150 milionë euro në tre muajt e fundit, nga gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Ministria Infrastrukturës dhe Energjisë, raporton që detyrimet e krijuara për periudhën janë në vlerën 98.7 milion lekë si 3-mujor (janar-mars 2020) ose 1.72 miliard lekë progresiv deri në Mars 2020, referuar detyrimeve të aparatiti të MIE, ARRSH-së dhe AKUK-së për:
- Vendime Gjyqësore MIE – 892 milion lekë;
- Ndërtim dhe sistemim rruge – 2.03 milion lekë;
- Vendime Gjyqësore ARRSH – 492.5 milion lekë;
- Mirëmbajtje rrugore – 78.7 milion lekë;
- Detyrime të ndërmarrjeve Ujësjellës-Kanalizime – 248.3 milion lekë.
Sipas këtij raportimi, shuma e detyrimeve si pasojë e vendimve gjyqësore ndaj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që kap vlerën e 892 milion lekëve, është qindra herë më e lartë se shuma e shpenzuar për ndërtimin dhe sistemimin e rrugëve nga kjo ministri, zë që ka vlerën e vetëm 2.03 milionë lekëve. Ndërkohë vendimet gjyqësore ndaj ARRSh kapin vlerën e 492.5 milion lekëve, ose mbi 242 herë më shumë se shuma e shpenzuar per zërin “ndërtim dhe sistemim rruge”.
Ndërkohë vetë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, që ka bërë raportimin për të gjitha ministritë, për tremujorin janar-mars 2020 ka krijuar 64.8 milion lekë detyrime të reja të prapambetura. Në total stoku i detyrimeve të grumbulluara deri në Mars 2020, është 464.6 milion lekë për vendime gjyqësore për ish punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit raporton se stoku i detyrimeve deri në mars 2020 raportohet në vlerën 196.5 milion lekëve. Për tremujorin Janar-Mars 2020, kjo ministri ka krijuar detyrime të reja në vlerën 6.9 milion lekë, të cilat i referohen vendimeve gjyqësore të formës së prerë në favor të ish-punonjësve të shkarkuar, ashtu si edhe detyrimet e mbartura të cilat janë në masën 189.5 milion lekëve.
Ministria e Brendshme raporton se stoku i detyrimeve deri në Mars 2020 është në vlerën 1.15 miliard lekë. Detyrimet e reja të krijuara në periudhën Janar-Mars 2020 janë në vlerën 50.6 milion lekë, ndërkohë që stoku i mbartur është 1.098 milion lekë. Pjesën më të madhe të detyrimeve MB e ka për detyrime për vendime gjyqësore, të mbartura për dëmshpërblime për prishje objekti IKMT dhe për ish-punonjës të larguar.
Ministria e Bujqësisë ka likuiduar nga viti 2015 deri në korrik 2020 mbi 485 milionë lekë, rreth 4 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, që janë pasqyruar në grafikun bashkëngjitur, pagesat vjetore që kanë shkuar për likuidimin e vendimeve gjykatave janë kryesisht për kompensimin e të larguarve nga puna. Shumat e dhëna për një person shpesh janë të larta, me rreth 2 milionë lekë të reja.
Ministria e Mbrojtjes është ndër institucionet e pakta që nuk raporton detyrime të prapambetura. Pas një kërkese për informacion, Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se deri më 30 qershor 2020, ku institucion nuk ka asnjë detyrim të prapambetur.
Largimet dhe puna nga administratën publike, që për pasojë sjellin edhe dëmshpërblime në “kurriz” të taksapaguesve nuk ndodhin vetëm gjatë ndryshimeve të qeverive, por edhe brenda një mandati qeverisës.
Rasti që “Faktoje” sjell, i përket një zyrtari të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili, pas largimit nga detyra të Damiant Gjiknurit në fund të muajit dhjetor 2018 dhe emërimit të Belinda Ballukut në fillim të vitit 2019, solli edhe largimin e tij nga detyra.
Pas ankimimit të vendimit në Gjykatën Administrative të Tiranës, ish-zyrtari i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili zotëronte edhe statusin e “Nëpunësit civil të nivelit të lartë drejtues” në bazë të “Kodit të Punës” u dëmshpërblye për 1 vit rresht, duke u emëruar më pas në një tjetër institucion të administrates publike.
Studiuesi Arben Malaj, argumenton pasojat nga kostot për gjyqet e humbura në gjykatat ndërkombëtare si dhe ato brenda vendit:
Duhet të mbajmë parasysh dy kosto tepër të rënda për taksapaguesit shqiptarë, që janë: vendimet e gjykatave ndërkombëtare për veprime jo ligjore, jo të përgjegjshme, arrogante dhe të babëzitura, që qeveritarët kanë ndërmarrë kundër kompanive të ndryshme private dhe jo më pak të rënda janë kostot qindra milionë euro të pushimeve abuzive nga puna – shprehet Malaj.
Zoti Malaj ia atribuon mungesës së profesionalizmit të administratës publike, barrën e dëmshpërblimeve për pushimet nga puna.
Kjo sëmundje e tranzicionit tonë, paqëndrueshmëria dhe mungesa e profesionalizmit e administratës publike, vazhdon të dëmtojë cilësinë qeverisëse të vendit, ku specialistët dhe ekspertët me përvojë dhe të trajnuar, zëvendësohen me militantët partiakë. Kjo u kushton rëndë taksapaguesve shqiptarë, pasi qindra milionë euro vendime gjykate për pushime të paligjshme nga puna vazhdojnë të paguhen – thekson ai.