BallinaPremtimeDritan Leli: Pylli i Sodës do të ruhet 24 orë nga policia bashkiake

Dritan Leli: Pylli i Sodës do të ruhet 24 orë nga policia bashkiake

Pylli i Sodës në Vlorë, i njohur ndryshe edhe si “mushkëria e qytetit” vuan prej vitesh masakrimin e pemëve dhe zjarrëvëniet. Dikur, me një sipërfaqe prej 670 hektarësh, sot ky pyll është tkurrur në 550 ha sipas ekspertëve. Kryebashkiaku i Vlorës premtoi 4 vite më parë se ai do të ruhej nga punonjës të policisë bashkiake, por zjarrvëniet e herëpashershme dhe ndotja e pyllit, dëshmojnë për një pasuri jashtë vëmendjes së autoriteteve. Edhe Faktoje gjatë verifikimit në terren konstatoi se pylli nuk ruhej, ndërsa bashkia refuzon të përgjigjet nëse e ka mbajtur premtimin.

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………..

Në datën 1 mars 2016 gjatë një prononcimi për mediat, kryebashkiaku Dritan Leli garantoi të gjithë komunitetin se Pylli i Sodës, pasuri e të gjithë vlonjatëve siç e cilësoi ai, do të ruhet përmes një plani të veçantë masash, duke e mbrojtur atë nga abuzuesit.

“Bashkia e Vlorës, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, do të nisë prej ditës së sotme, ruajtjen gjatë 24 orëve dhe në të gjithë ditët e javës të Pyllit të Sodës, për mbrojtjen e këtij aseti të rëndësishëm për të gjithë”- u shpreh Leli.

Në datën 8 prill 2020 një vatër e madhe zjarri u regjistrua në zonën e Zvërnecit në të cilën përfshihet edhe Pylli i Sodës.  Zjarri I cili dyshohet të ishte i qëllimshëm, i ndihmuar dhe nga era, rrezikoi të djegë një sipërfaqe të madhe me pisha në pyllin e Sodës.

 

Për këtë ngjarje reagoi edhe kryebashkiaku Dritan Leli, i cili deklaroi:

“Për ata që mendojnë që në këtë situatë mund të arrijnë qëllime të mbrapshta, e kanë zgjedhur rrugën dhe vendin e gabuar. Do të mbjellim dyfishin e pemëve që sot janë djegur.”

Megjithatë midis rreshtave të kësaj deklarate nuk u përmend asnjëherë policia bashkiake e cila duhet të ishte në dispozicion të mbrojtijes së kësaj hapësire të gjelbërt, siç u premtua nga kryebashkiaku.

Ne shkuam në terren për të verifikuar nëse Pylli i Sodës ruhej nga policia bashkiake, për të parandaluar dëmtimin e tij, siç premtoi Leli. Përgjatë rrezes prej 5 kilometrash ku kaluam dhe ku shtrihet sipërfaqja pyjore nuk konstatuam praninë e ndonjë punonjësit të policië bashkiake. Ajo që gjetëm ishte një sipërfaqe e ndotur me mbetje inetrte apo plastike të cilat nuk ishin pastruar prej kohësh.

 

 

“Faktoje” u përpoq të komunikonte me bashkinë e Vlorës për të mësuar mbi përmbushjen e premtimit të bërë nga Kryebashkiaku 4 vite më parë. Edhe pse kanë kaluar 17 ditë që prej dërgimit të kësaj kërkese bashkia, ka refuzuar të kthejë përgjigje.

Sipas organigramës, të bërë publike në faqen zyrtare të Bashkisë Vlorë janë 35 policë bashkiakë, një numër i vogës për të pretenduar që të ruajë 24 orë Pyllin e Sodës.

Vetë Bashkia e Vlorës nuk e specifikon as në rregulloren e këtij institucioni se cila është detyra e policisë bashkiake.

Pasi kërkuam për këtë rregullore dokumenti që gjetëm ishte Ligji Nr. 8224 I cili shpjegon funksionet e policisë bashkiake.

Në pikën katër të nenit numër tetë shpjegohet se detyra e policëve bashkiake është ndër të tjera të konstatojë e të parandalojë ndotjet e mjedisit, hedhjet e mbeturinave të ndryshme.

Nga verifikimi i deklaratës së kryebabashkiakut Dritan Leli, vendosëm që ta kategorizojmë atë si premtim të pambajtur.

 

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img