Pretendimi: Franca ka ndaluar TikTok
Verdikti: Pjesërisht e vërtetë
———————————————-
Një numër portalesh shqipfolëse kanë raportuar së fundmi se Franca ka ndaluar përdorimin e aplikacionit TikTok.
Megjithatë, ky lajm është vetëm pjesërisht i vërtetë.
TikTok është ndaluar vetëm në territorin francez të Kaledonisë së Re, një ishull në Paqësorin e Jugut që ka qenë nën kontrollin francez që pas kolonizimit në fund të viteve 1800.
Një valë protestash nisi në Kaledoninë e Jugut në mes të Majit, pasi parlamenti francez miratoi rregulla të reja që do të lejonin qytetarët francezë që kanë jetuar në Kaledoninë e Re për 10 vjet e sipër që të votonin në zgjedhjet provinciale.
Qeveria franceze pretendon se këto reforma “mbështesin demokracinë” në ishull, por vendasit, veçanërisht ata që i përkasin komunitetit indigjen Kanak (~40% e popullsisë), shprehin shqetësimin se kjo risi do të minonte përpjekjet e tyre për të shpallur pavarësinë nga Franca.
Pas nisjes së protestave, më 16 maj, Franca shpalli gjëndje emergjence në ishull, duke dërguar trupa në portet dhe aeroportin ndërkombëtar të Kaledonisë së Re, duke vendosur një shtetrrethim 12-ditësh dhe duke ndaluar TikTok.
Kryeministri francez Gabriel Attal nuk detajoi arsyet e mbylljes së platformës. Philippe Gomes, ish-presidenti i qeverisë së Kaledonisë së Re, tha për Politico se vendimi synonte të ndalonte protestuesit të “organizonin ribashkime dhe protesta” përmes aplikacionit.
TikTok mbetet i aksesueshëm në Francë, megjithëse ai, bashkë me të tjerë “aplikacione rekreative”nuk lejohen në telefonët e punës së nënpunësve civilë.