Një imazh që tregon një ‘gjigand’ mes një turme njerëzish po përdoret nga konspiracionistët si ‘provë’ e ekzistencës së gjigandëve. “Faktoje” shpjegon se ky imazhe nuk është fotografi, por është gjeneruar me anë të një programi të inteligjencës artificiale.
——————————-
Imazhet e krijuara me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI) vijojnë të ngatërrojnë konspiracionistët.
Së fundmi, konspiracionisti Alfred Cako ka shpërndarë një imazh në rrjete sociale, i cili i përngjason një fotografie të vjetër, dhe tregon një burrë shumë të madh në mes të një turme njerëzish me madhësi normale.
Ky imazh shoqërohet me përshkrimin: “Kjo foto është shkrepur rreth vitit 1901, ky ishte Neandertali Gjigand i fundit njerëzor që ishte ende gjallë.”
Termi “Neandertal Gjigant njerëzor” është një term kontradiktor. Neandertalët (Homo neanderthalensis) janë një specie e zhdukur humanoidësh. Qindra skeletë të tyre janë gjetur në Europë dhe Azi. nga këqyrja e këtyre skeleteve, vërrehet se ata kanë qenë më trupvegjël se njerëzit e sotëm (Homo sapiens). Sipas Muzeut Smithsonian, “trupat e tyre kanë qenë më të shkurtër dhe të ngjeshur se tanët, një tjetër përshtatje ndaj të jetuarit në klima të ftohta.”
Pas kërkimit me motorin e kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, “Faktoje” zbuloi se imazhi i mësipërm është postuar për herë të parë në internet, në komunitetin online në Reddit r/midjourney.
R/midjourney është një faqe në internet përkushtuar programit të inteligjencës artificiale Midjourney dhe imazheve të prodhuar me anë të tij.
Më shkoqur, imazhi i mësipërm nuk është një foto e 1901, por një prodhim i programit të inteligjencës artificiale Midjourney.
“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë imazhe të gjeneruar me AI që janë marrë për të vërteta në rrjete sociale.