Forumi Ekonomik Botëror nuk komandon racionimin e ujit

726

Javët e fundit në rrjete sociale u shpërnda me shpejtësi një artikull që pretendon se Forumi Ekonomik Botëror ka deklaruar se uji nuk është e drejtë themelore e njeriut, duke urdhëruar qeveritë që ta racionojnë atë. Verifikimet tregojnë se artikulli “është i rremë “, pasi Forumi Ekonomik Global nuk ka bërë kurrë një deklaratë të tillë.

Forumi Ekonomik Botëror (WEF), një fondacion jofitimprurës zvicerian, i cili zhvillon një konferencë vjetore ku ftohen të diskutojnë personalitete të biznesit dhe politikës, është vendosur prej kohësh në qendër të teorive konspirative. Themeluesi i tij, Klaus Schwab, për këto teori është njeriu që kontrollon të gjitha agjendat botërore dhe është fajtor për pjesën më të madhe të masave kufizuese dhe krizave që ndodhin në ekonomi globale. Më e fundit nga këto teori mesa duket është dhe kontrolli i ujit të pijshëm.

Një përdoruese e Facebook, shpërndan në 28 prill një artikull në anglisht që pretendon se në Forumin Ekonomik Botëror ka deklaruar se “Uji nuk është një e drejtë themelore e njeriut”.  “…Duhet të bëjmë urgjentisht racionimin e ujit në shtëpitë”, shoqërohet postimi në shqip. 39 përdorues kanë reaguar ndaj këtij lajmi ndërkohë që 13 të tjerë komentojnë me gjuhë urrejtje për pretendimin e ngritur ndaj Forumit Ekonomik Botëror.

Artikulli është ndarë në 12 prill nga The people’s voice dhe si imazh ilustrues ka themeluesin dhe presidentin e Forumit Ekonomik Botëror (WEF) Klaus Schwab, ndaj dhe kjo përdoruese në Facebook i referohet këtij të fundit në postimin e saj.

Verifikimet tregojnë se pretendimi është i rremë. Kolegët tanë të Facta.news dhe USA Today kanë verifikuar se lajmi i shpërndarë në rrjete sociale nuk ka asnjë bazë.

I kontaktuar nga kolegët e USA Today, një zëdhënës i Forumit Ekonomik Botëror konfirmoi se artikulli “është i rremë dhe i shpikur”, duke shtuar se “WEF kurrë nuk ka bërë deklarata të tilla”.

Po ashtu, artikulli mbi të cilin ngrihen këto pretendime i referohet Konferencës së Kombeve të Bashkuara për ujin, e cila u mbajt në New York në 22 mars 2023. Mirëpo në një artikull dedikuar kësaj konference në faqen zyrtare të Forumit Ekonomik Global, nuk gjendet asnjë nga pretendimet e ngritura nga The people’s voice.

Edhe një shkencëtar politik në Universitetin e Pensilvanisë Scott Moore i tha USA Today se Forumi Ekonomik Botëror nuk ka aftësinë për të mandatuar qeveritë të racionojnë ujin ose burimet e tjera,

Vlen të theksohet gjithashtu se si Forumi Ekonomik Global po ashtu edhe OKB-ja në të kaluarën e kanë përcaktuar ujin si një “të drejtë njerëzore”.

Por The people’s voice, i njohur më parë si NewsPunch, ka një histori të gjatë të botimit të historive të fabrikuara, shumë prej të cilave janë ‘rrëzuar’ nga verifikuesit e lajmeve të rreme.