.

.

BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriFondet për rindërtimin e shkollës në Porto Romano, shkojnë për shlyerjen e boxheve të Bashkisë ndaj OSHEE

Fondet për rindërtimin e shkollës në Porto Romano, shkojnë për shlyerjen e boxheve të Bashkisë ndaj OSHEE

Një vendim i Këshillit bashkiak të Durrësit, vjeshtën e këtij viti, ka devijuar fondin prej 36 milionë lekësh të parashikuara në buxhet për nisjen e rindërtimit të shkollës “Met Hasa” në Porto Romano. Kjo shumë ishte parashikuar për nisjen e projektit gjatë këtij viti, por m vendimin e ri, do të përdoret për shlyerjen e borxheve të institucionit vendor ndaj OSHEE. Bashkia e Durrësit konfirmoi shtyrjen e realizmit të projektit i cili, në rastin më të mirë përfundon në vitin 2025 ndërsa godina është ndërtim i vitit 1972.

Ervina Kotti (Garo)

Këshilli bashkiak Durrës miratoi buxhetin e vitit 2022, gjatë mbledhjes së zhvilluar mesditën e 23 dhjetorit të 2021, ku përfshiheshin edhe investimet në arsim.

Gjatë fjalës së saj, në të njëjtën mbledhje, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako përcaktoi shkollat që do t’i nënshtroheshin rikonstruksionit dhe ato që do të ndërtoheshin të reja.

“Investimet në arsim do të jenë ndërtimi i godinës së re të shkollës 9-vjeçare “Met Hasa”, rikonstruksioni i plotë i QKF Durrës, ndërtimi i një shkolle të re ku do të bashkohen shkollat 9-vjeçare “Vasil Ziu” dhe “Nënë Tereza”, rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Demokracia”, rikonstruksioni i shkollës “Besnik Hidri” Shënavlash si dhe rikonstruksioni i shkollës “Don Nikollë Kaçorri”, ndërtimi i kopshtit në oborrin e shkollës “Isuf Hoti” në bashkëfinancim me PNUD për pogramin e rindërtimit.” – deklaroi Sako.

Edhe në faqen zyrtare të Bashkisë Durrës, në zërin e investimeve për këtë vit kalendarik është listuar ndërtimi i shkollës 9-vjeçare “Met Hasa

Ky objekt arsimor ndodhet në lagjen numër 15 të qytetit bregdetar, në zonën e njohur si Porto Romano.

Por, nga verifikimet e bëra në terren nuk ka asnjë gjurmë nga nisja e punimeve dhe procesi mësimor vijon në ndërtesën e vjetër.

Shkolla “Met Hasa” në Porto Romano

“Nuk na ka thënë askush asgjë që shkolla do të ndërtohet nga e para. Nëse do të ndërtohet, të mos jetë në të njëjtin vend se është buzë rrugës, ku kalojnë kamionë gjatë gjithë kohës dhe është pranë depozitave të gazit. Kemi frikë për fëmijët!”- thotë Iliri që sjell çdo ditë fëmijën në shkollë.

Ndërsa, Alma një tjetër prind tregon se ka zgjedhur t’i dërgojë fëmijët në një nga shkollat që gjenden pranë qendrës së qytetit, edhe pse ndodhet më larg.

“Kaq afër sa është me rrugën e makinave. Lëre, kur bie shi, mbushet me ujë! Më mirë brenda në qytet. Këtu kam frikë!” – shpjegon nëna e dy vajzave.

Shkolla nuk rezulton në listën e ndërtesave që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti i fundnëntorit 2019. Në të njëjtën kohë, nuk është e listuar as në godinat që janë në proces rikonstruksioni ose rindërtimi në Bashkinë Durrës. Në 6 shtator 2022, thuajse 10 muaj pas miratimit të buxhetit, këshilli bashkiak Durrës miratoi një vendim, (pika 4 e rendit të ditës) i cili kishte të bënte me një fond prej 81 milionë lekësh, që do t’i akordohej OSHEE, pasi kjo njësi vendore kishte rezultuar debitore, kundrejt institucionit në fjalë.

Në relacionin e hartuar, autoriteti vendor përcaktonte se nga do të sigurohej ky fond debie, duke cënuar dy investimet e parashikuara, njëri prej të cilëve me objekt: ndërtimin e shkollës 9-vjeçare “Met Hasa”.

“Pra fondi prej 36.000.000 lekë  i planifikuar për financimin e projektit në vitin 2022 do të mbetet i papërdorur. Në këto kushte kërkojmë që vlera prej 36.000.000 lekë të merret nga ky fond dhe  të alokohet për shlyerjen e detyrimeve kundrejt OSHEE.” – bëhet me dije në relacion.

Sipas shkresës zyrtare, 36 milionë lekë janë marrë nga fondi i ndërtimit të shkollës, pa përcaktuar afate në lidhje me zbatimin e këtij projekti, i cili u bë publik në mbledhjen e këshillit bashkiak në dhjetor të një viti më parë, nga kryebashkiakja, Emiriana Sako.

Vendimi i Këshillit Bashkiak Durrës për devijimin e fondeve

Ne iu drejtuam Bashkisë Durrës me një kërkese për informacion nëse do të realizohej projekti për ndërtimit e kësaj shkolle, pas vendimit për devijimin e fondeve të parashikuara për vitin 2022. Në përgjigjen zyrtare për Faktoje thuhet se projekti do të kryhet, por jepet një afat i ri, duke shtyrë pritshmëritë për rindërtimin.

 

Përgjigjja e Bashkisë Durrës për Faktoje

 

Në datën 25 nëntor, kontaktuam drejtuesin e këtij institucioni arsimor në lidhje me kushtet higjieno-sanitare dhe ato mësimore të shkollës “Met Hasa”. Por interesimit tonë në lidhje me amortizimin apo dëmtimin e kësaj godine dhe mbi të gjitha, nëse i është adresuar bashkisë Durrës kjo situatë, drejtori deri më sot nuk i ka kthyer përgjigje. Nga ana tjetër, vetë bashkia konfirmon në përgjigjen për Faktoje se shkolla është ndërtim i vitit 1972.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img