Imazhi i një ndërtese në Bosnje-Hercegovinë e ndriçuar me ngjyrat e flamurit të Kosovës po shpërndahet në rrjete sociale si mbështetje e vendeve të rajonit pas sulmit terrorist në veriun e vendit. Verifikimi i Faktoje zbuloi se imazhi është i manipuluar nga një foto e vitit 2019.
—————————-
Foto e një godine të ndriçuar me ngjyrat e flamurit kosovar po shpërndahet në rrjete sociale si mbështetje e Bosnje-Hercegovinës ndaj Kosovës pas sulmit terrorist që la të vrarë një polic kosovar më 24 shtator 2023.
Treguesit fillestarë se imazhi i mësipërm është i manipuluar është forma e projektimit. Katrori ngjyrë blu ndriçon në mënyrë jo natyrale, jo vetëm ndërtesën por edhe pjesë të sheshit përpara saj. Për më tepër, forma e hartës së Kosovës nuk shfaq përthyerje, siç do të ndodhte nëse do të ndriçohej në një sipërfaqe jo të sheshtë, si një mur me dritare.
Një kërkim me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search zbuloi se godina e mësipërme është ndërtesa e komunës së Sarajevës.
Por, siç kanë verifikuar edhe kolegët e Kallxo, versioni origjinal i imazhit të mësipërm është shfaqur për herë të parë në faqen e medias Klix, në 2019. Në këto foto, flamuri i Kosovës nuk shfaqet.
Foto origjinale
Më poshtë gjeni një krahasim mes imazhit të montuar dhe fotos origjinale.
Për shkak të vendimmarrjes së kushtëzuar nga entiteti i Republikës Serbe apo Republika Sërpska, Federata e Bosnje dhe Hercegovinës është një nga vendet e rajonit që ende nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës.
Postimi i kësaj fotografie ka shkaktuar debat të brendshëm edhe në Bosnje, ku politikanët që kanë rënë pre e montazhit i kanë tërhequr vëmendjen bashkisë së Sarajevës për këtë veprim.