Kjo video nuk dëshmon se NASA po përdor teknika hollivudiane për të inskenuar pamjet nga hapësira. ‘Ekrani jeshil’ që pretendohet se duket në pasqyrimin e orës së astronuatit është në fakt pjesa e gjelbër e flamurit tringjyrësh italian që astronauti Luca Parmitano mban mbi kostumin e tij hapësinor.

————————————–

Konspiracionistët në rrjet po shpërndajnë një video ku ata pretendojnë se provohet se agjensia hapësinore NASA përdor metoda hollivudiane si ekrani jeshil për të inskenuar pamjet nga hapësira.

Video duket se është xhiruar nga një kamera e vendosur në helmetën e një astronauti, i cili po kryen punë mirëmbajtjeje në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.

Në një pjesë të videos, në ekranin e një pajisjeje të vendosur në kyçin e astronautit pasqyrohet pamja e rruzullit tokësor, ndërsa në një çast tjetër, në të pasqyrohet një drejtkëndësh i gjelbër. 

Ky drejtkëndësh, sipas konspiracionistëve, është një ekran jeshil, një metodë post-produksioni me anë të së cilës dy apo më shumë pamje ndërthuren me njëra-tjetrën për të prodhuar një pamje të re.

Shembull i përdorimit të ekranit jeshil në filmat e Harry Potter

Në fillim të videos, në cepin e sipërm majtas të ekranit, mund të dallohet mbishkrimi “Pamje nga kamera e helmetës” dhe emri i Luca Parmitano, një astronaut italian me Agjencinë Europiane Hapësinore (ESA), i cili duket se është personi në video.

Tani gjërat po fillojnë të kenë kuptim. Vëreni me kujdes këtë foto të Parmitanos në kostumin e tij hapësinor.

Ose këtë foto të Parmitanos të veshur në kostumin e tij hapësinor, shkrepur pas kthimit nga një shëtitje në hapësirë në 2013.

Lexuesi i vëmendshëm do ta ketë kuptuar tashmë se drejtkëndëshi i gjelbër që pasqyrohet në ekranin e dorës së Parmitanos nuk është një ekran jeshil që dëshmon mashtrimet e agjensisë hapësinore NASA. 

Ai është në fakt pjesa jeshile e flamurit tringjyrësh italian që dekoron kostumin hapësinor të astronautit nga Italia.

Ky pretendim është në vijim të shumë postimeve të tjera që qarkullojnë online prej vitesh si pjesë e një teorie konspirative për pamundësinë e udhëtimeve hapësinore dhe se të gjitha pamjet e publikuara nga NASA krijohen në tokë nga trupa kinematografike.