Një video protestuesish me flamuj algjerianë në Sheshin e Republikës në Francë po qarkullon në internet me pretendimin se tregon protestat e javëve të fundit në Francë. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se video në fjalë është e vitit 2019, gjatë protestave kundër ish-presidentit algjerian Abdelaziz Bouteflika.

——————————-

Ndërsa Franca përjeton trazira dhe protesta si pasojë e vdekjes së Nahel M., një 17-vjeçar me prejardhje algjeriane, i cili u vra nga një polic në 27 qershor 2023, një video që tregon një turmë njerëzish me flamuj algjerianë në Sheshin e Republikës në Paris po qarkullon nëpër rrjete sociale, përfshirë edhe ato shqipfolëse.

Faqja në Facebook The Reis, një faqe në shqip që duket se i dedikohet adhurimit të presidentit turk Erdogan, e shoqëron videon e mësipërme me përshkrimin: “Paris, Sheshi i Republikës. Franca ra.”

Megjithatë, një kërkim me motorin e kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search zbulon se video tregon pamje nga protestat algjeriane të 2019 në Paris.

Këto protesta u mbajtën në Mars të 2019, kur mijëra njerëz, shumica me prejardhje algjeriane, protestuan në Sheshin e Republikës në Paris, por edhe në qytete të tjera si Marseille dhe Bordeaux.

Protestat në Paris u paraprinë nga protestat në Algjeri. Shkaku i tyre ishte njoftimi, në Mars 2019, se presidenti 82-vjeçar i vendit, Abdelaziz Bouteflika, i cili ishte në fuqi që nga 1999 edhe pse në 2013 kishte pësuar një ishemi që e kishte lënë të paralizuar dhe pa aftësinë e të folurit, do të kandidonte gjithsesi për një mandat të pestë në zgjedhjet e Prillit 2019.

Protestuesit pretendonin se Bouteflika po përdorej si kandidat kukull nga elitat e Algjerisë, të cilat operonin të fshehura pas figurës së ish-presidentit.

Më në fund, në 2 prill 2019, Bouteflika deklaroi se nuk do të kandidonte për një mandat të pestë, dhe dha dorëheqjen nga posti i presidentit. Kjo deklaratë u prit me ngazëllim nga protestuesit, si në Algjeri edhe në Francë.