Mediat online kanë publikuar së fundmi një artikull, ku i referohen një deklarate të bërë nga ish-kryeministri Fatos Nano mbi arrestimin në Francë të Edi Ramës. Nga verifikimi i “Faktoje” rezulton se lajmi është sjellë jashtë kontekstit dhe se portalet kanë abuzuar me titullin, në mënyrë që të tërheqin sa më shumë lexues me një çështje që nuk i përket aktualitetit.
————————————————————————————————————————–
Më 11 shtator të këtij viti, portali “Valetal.info” ka publikuar një artikull me një titull bombastik, që duhet të trondiste themelet e politikës shqiptare: “Fatos Nano dëshmon për herë të pare: ‘Edi Rama ishte i arres.tuar më vitin 1994 në Francë, e zunë duke vjedhur…” është ky titulli i artikullit të portalit Valetal.info.
Screenshot lajmi i publikuar nga portali
Shihet që lajmi i publikuar ka marrë mbi 66 mijë shikime brenda 24 orëve, çka tregon që interesi i qytetarëve për këtë çështje ka qenë i lartë. Nisur nga ky fakt, “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të artikullit në fjalë, për të informuar publikun mbi aktualitetin dhe vërtetësinë e tij.
Gjatë një kërkimi në Google rezulton se artikulli fillimisht është publikuar në dhjetor të vitit 2019 nga portali Syri.net. I sjellë në formën e një opinioni nga Syri.net, artikulli bën një përmbledhje të deklaratave dhe akuzave ndaj kryeministrit Edi Rama, në lidhje me “arrestimin” në Francë. Pjesë e lajmit ishte edhe një deklaratë e bërë nga Fatos Nano në vitin 2001, i cili shprehej: “Unë mund të kem bërë shumë gjëra, por e nxorra nga bataku i fyerjeve (Edi Ramën). Nga refugjat dhe shitës ikonash të vjedhura, në kohën e Saliut, në ministër dhe kryetar të Bashkisë më të madhe të Shqipërisë”.
Sidoqoftë, portali Syri.net, ka ngritur pikëpyetje asokohe mbi arrestimin dhe nuk ka konfirmuar çështjen e arrestimit.
Në vitin 2022, portali Valetal.info e ka risjellë artikullin me një titull abuzues, pasi ish-kryeministri Fatos Nano në fjalën e tij nuk ka përmendur “arrestim në Francë në 1994”. Artikujt të tillë, të sjellë jashtë kontekstit kanë si qëllim tërheqjen e sa më shumë lexuesve, ndonëse në këtë mënyrë informojnë në mënyrë të gabuar audiencën. Përpos kësaj, artikulli ka gabime drejtshkrimore, shenja pikësimi të panevojshme dhe mungon data e publikimit të artikullit në web. Këto janë disa elementë që të bëjnë të dyshosh mbi seriozitetin e një portali.
Ky lajm është publikuar edhe nga disa media të tjera online si: Gazetapopulli.net, News32post.com, Gazetaz.com, Lajmeflesh.com, News225media.com, Balkansnews.net.
Intervista më e fundit që sh-kryeministri Nano, i përket shkurtit të vitit 2021, ku ai ka folur ndër të tjera edhe se si kishte lindur bashkëpunimi me Edi Ramën dhe ftesën që i kishte bërë këtij të fundit për ta kthyer nga Parisi.
Data 19 shtator 2022: Portali www.valetal.info e ka korrigjuar dhe përmirësuar artikullin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar dhe tashmë i korrigjuar.