.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëFasadat e Peshkopisë, një premtim që po mbahet

Fasadat e Peshkopisë, një premtim që po mbahet

 

Rehabilitimi i “Fasadave të Qytetit” në Peshkopi, është një nga pesë prioritetet e punës së Bashkisë Dibër për këtë vit. Në një përgjigje zyrtare për Faktoje në kuadër të projektit për monitorimin e 15 bashkive, mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED), bashkia konfirmoi se projekti i fasadave është në fazën e zbatimit. Nga verifikimi në terren rezultoi se një pjesë e pallatve i ishin nënshtruar rehabilitimit të fasadave.

 

Esmeralda Topi

Një nga përparësitë e bashkisë Dibër për mandatin aktual, është rehabilitimi i fasadave të qytetit të Peshkopisë, siç tregohet edhe në listën e dërguar nga ky institucion për Faktoje.

Përgjigja e Bashkisë Dibër, 26 shtator 2022

Për shkak të rëndësisë dhe interesit të lartë publik që ka kjo çështje ne vendosëm ta verifikonim në terren. Faktoje ishtë më 3 tetor në Peshkopi për të parë nga afër ecurinë e këtij premtimi.

Peshkopi, 3 tetor 2022

Ajo që na ra në sy përgjatë ecjes nëpër qytet ishte degradimi i ndërtesave. Një pjesë e madhe e pallateve të banimit në Peshkopi ishin me mure të rënë dhe prani lagështie.

Peshkopi, 3 tetor 2022

Banorë të zonës na thanë se puna për rehabilitimin e fasadave kishte filluar me një pallat pranë rrugës Dom Nikollë Kaçori, që njihet si rruga e Gjykatës. “Merren me fasadat ndërkohë që ne i kemi rrugët për turp. Gjithsesi, të paktën diçka po bëjnë…”- na thotë një banor kur e pyesim se çfarë mendon për investimin.

Rruga Dom Nikollë Kaçori, Peshkopi( 3 tetor 2022)

Nga informacionet që morëm në terren, ndërhyrja në fasadën e këtij pallati 5 katësh përballë Gjykatës kishte filluar dy javë më parë. Punonjësit e firmës ndërtuese të kontraktuar për këtë projekt, thanë për Faktoje se rehabilitimi i godinës parashikon termoizolimin e plotë të fasadave, duke përfshirë edhe zëvendësimin e dritareve por nuk dinin të jepnin një afat mbi përfundimin e punimeve në këtë pallat.

Rruga Dom Nikollë Kaçori, Peshkopi( 3 tetor 2022)

Nuk mund të parashikohet pasi javës që shkoi moti ishte me shi dhe punimet shtyhen”- sqaroi njëri prej tyre.

Por ky nuk ishte i vetmi pallat që po ndërhyhet në Peshkopi. Nga verifikimi në terren zbuluam se edhe në lagjen Dobrovë kishte nisur puna për rehabiliitmin e tre pallateve të tjera 5 katëshe.

Dobrovë, Peshkopi (3 tetor 2022)

Ndërkohë, para se të niseshim për verifikimin në terren, më 30 shtator Faktoje iu drejtua me një tjetër kërkesë për informacion Bashkisë së Dibrës për të mësuar më shumë mbi projektin e rehabilitimit të Fasadeve të Qytetit, afatet dhe vlerën e tij.

Screenshot nga përgjigja e Bashkisë Dibër

Në përgjigjen e dërguar më 4 tetor, Bashkia e Dibrës sqaron se projekti për rehabilitimin e “Fasadave të Qytetit” të Peshkopisë është në fazë zbatimi.

“Fasadat e pallateve që do të rehabilitohen janë nga ish NB deri tek ish SMT. Vlera e investimit është 1.5 miliardë lekë”.

Sipas informacioneve që ne morëm në Peshkopi, projekti për rehabilitimin e fasadave parashikohet të përfundojë në shkurt të vitit 2023. Nisur nga verifikimi në terren, premtimin për rehabilitimin e “Fasadave të Qytetit” do ta kategorizojmë pjesërisht të mbajtur.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img