Pretendimi: Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bleu vilë në Karaibe dhe Qipro dhe një makinë Bugatti

Verdikti: E paprovuar

————————————————————————

Ndërsa lufta në Ukrainë hyn në vitin e saj të katërt në shkurt të këtij viti, në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, po qarkullojnë sërish pretendime të amplifikuara nga propaganda ruse mbi pasurinë e supozuar marramendëse të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. 

Postimi i mësipërm pretendon se kjo pasuri e supozuar përfshin një vilë me vlerë 18 milionë euro në ishullin Shën Bartolomeu në Karaibe, një vilë tjetër në Qipro, dhe një makinë Bugatti.

Si zakonisht, postimi nuk shoqërohet me ndonjë provë apo referencë që mbështet pretendimin e tij.

Vila në Shën Bartolome

Sipas postimit të mësipërm, “presidenti ukrainas Zelensky bleu një vilë për 17.8 milionë euro në Shën Bartolomeu në Karaibe , të quajtur ishulli i miliarderëve , raportojnë mediat duke cituar burime franceze. Sipas burimeve, në këtë pronë tashmë është duke u ndërtuar një strehë nëntokësore.”

Ky pretendim e ka zanafillën në një kanal telegrami rus, ku janë botuar dhe disa dokumente që pretendohen se provojnë pretendimin. Sipas këtij kanali, vila u ble më 4 tetor 2024 nga një kompani e quajtur Aldorante LTD, pas së cilës fshihej Zelensky.

Nga adresa e treguar në këto dokumente, mund të kuptohet se bëhej fjalë për Villa Stellae, një rezidencë luksoze me pamje nga oqeani. Vila menaxhohej nga kompania e menaxhimit të pronave Sibarth deri në tetor 2024, kur kompania postoi në faqen e saj në Facebook se pronarët e mëparshëm e kishin shitur pronën.

Megjithatë, Zarek Hanniset, menaxheri i përgjithshëm i kompanisë, kontaktuar nga kolegët e StopFake, i mohoi plotësisht këto raportime. Sipas tij, Sibarth ka negociuar shitjen e pronës, por “blerësi nuk është Aldorante LTD, por një kompani franceze me aksionerë francezë që nuk ka lidhje me Ukrainën. Për më tepër, çmimi i treguar është i pasaktë dhe mund të konfirmoj se në shtëpi nuk po punohet, ndryshe nga sa nënkuptohet në video.” Kështu, shtëpia është blerë nga një kompani tjetër për një shumë të ndryshme dhe në territor nuk po ndërtohet asnjë bunker nëntokësor.

Në një email dërguar TF1info, Michel Ciffreo, noteri i cituar në një nga dokumentet, gjithashtu mohon të ketë “marrë një dokument të tillë” dhe konfirmon se ai “është një falsifikim banal.”

Vila në Qipro

Postimi i mësipërm pretendon, më tej, se “sipas mediave turke, në vitin 2024 Zelensky ka dashur të blejë kazino-hotelin Vuni Palace në territorin e Republikës së vetëshpallur Turke të Qipros Veriore për 150 milionë paund (mbi 17 miliardë rubla). Sigma TV raportoi se qeveria lokale po shqyrton detajet e kësaj marrëveshjeje.”

Ky pretendim qarkullon në rrjet që nga qershori 2024, kur media turke Odatv botoi pretendime në lidhje me blerjen e hotelit dhe kazinosë në Qipro nga një kompani në pronësi të Zelensky më 1 qershor. Artikulli i Odatv nuk jep ndonjë provë për këto pretendime.

Ambasada e Ukrainës në Qipro mohoi pretendimet më 4 qershor. Ambasada deklaroi se qëllimi i këtij informacioni të rremë ishte diskreditimi i Ukrainës dhe krijimi i tensioneve në marrëdhëniet diplomatike midis Qipros dhe Ukrainës. “Ne i nxisim lexuesit dhe përfaqësuesit e mediave që të besojnë vetëm burime të besueshme dhe të jenë të kujdesshëm ndaj manipulimeve dhe propagandës ruse”, thuhet në deklaratë.

Në një koment për Cyprus Mail, zëdhënësi i pronarit të vërtetë të hotelit, Oscar Group of Companies, gjithashtu mohoi pretendimet. Ai konfirmoi se hoteli është ende në pronësi të Oscar Group of Companies dhe se Zelenskyy nuk ka lidhje me këtë kompani.

Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, komentoi gjithashtu mbi pretendimet dhe tha se nuk ka asnjë provë që Zelensky ka blerë prona në Qipro.

“Kjo çështje është duke u hetuar nga agjencitë e Republikës së Qipros. Më lejoni të ritheksoj se asgjë e tillë nuk është zbuluar. Kur të ketë përfunduar hetimi i nisur në bashkëpunim me shtete dhe shërbime të tjera, do të mund të themi më shumë, por që prej pesë minutash më kanë njoftuar se nuk ka dalë asgjë e tillë”, tha ai.

Bugatti e Elena Zelenskaya

Postimi i mësipërm petendon, më tej, se “Elena Zelenskaya porositi një makinë Bugatti Tourbillon me vlerë 4.5 milionë eurodhe u bë pronar i të parës nga 250 makina të tilla. Sipas të dhënave jozyrtare, dorëzimi i makinës zonjës së parë të Ukrainës është planifikuar për në fillim të vitit 2026.”

Faktoje e ka përgënjeshtruar edhe më parë këtë pretendim. Kompania Bugatti ka lëshuar një deklaratë për shtyp që përgënjeshtron “këtë fushatë keqinformimi.”