Gazetaria faktverifikuese (fact checking) dhe disa prej mënyrave bazë për të dalluar lajmet dezinformuese, ishin tema e trajnimit që Faktoje zhvilloi me një grup të vitit të tretë të departamentit të Gazetarië në Tiranë, këtë të enjte.
Fillimisht studentët u njohën me një prezantim mbi punën dhe misionin e Faktoje, si organizata e parë dhe e vetme fact checking në Shqipëri, si dhe me fushatat që kjo organizatë po bën në edukimin e gazetarëve të rinj dhe publikut, kundër lajmeve dizinformuese.
*Kryeredaktorja Viola Keta gjatë trajnimit për studentët e Tiranës
Prezantimi i metodologjisë së Faktoje, nga kryeredaktorja Viola Keta, u pasua me shembuj tipikë të lajmeve të rreme që u përhapën dhe vazhdojnë të përhapen sidomos në raste fatkeqësish natyrore, si tërmeti i 26 nëntorit të dy viteve më parë, pandemisë së covid-19 dhe vaksinave kundër këtij virusi.
*Pjesë nga website I Faktoje
Studentët morën informacion për përmbajtjen dhe kategorinë “Si të dallojmë fake neës” në faqen online të Faktoje, e cila po zgjeron çdo ditë e më shumë fushatën e ndërgjegjësimit përmes trajnimeve por edhe videove ‘tutorial’ të thjeshta e të kuptueshme për çdo qytetar apo gazetar që kërkon të mësojë se si mund të verifikojë nëse një lajm është ose jo i rremë. Pas prezantimeve informuese me materiale video dhe powerpoint, studentët patën mundësi të ushtrohen mbi të menduarin kritik për lajme apo raportime konkrete me përmbajtje dezinformuese apo keqinformuese. Ushtrimet praktike të prezantuara nga gazetarja e Faktoje, Inva Hasanaliaj e bënë më interaktive pjesëmarrjen e studentëve në trajnim, duke ndikuar njëherësh në ndërgjëgjësimin sesi ata vetë mund të parandalojnë përhapjen e dizinformimit.
*Pjesë nga puna në grupe e studentëve
*Pjesë nga puna në grupe e studentëve
*Pjesë nga puna në grupe e studentëve
Studentëve iu shpërndanë disa pyetsorë, në formë kuizi çka I ndihmoi të testonin përvetësimin e njohurive dhe teknikave bazë të prezantuara mbi verifikimin dhe dallimin mes lajmeve të rreme dhe atyre të vërteta.
*Gazetarja Inva Hasanliaj duke shpjeguar disa nga APP për verifikimin e fotove/videove
Prezantimi i gazetares Inva Hasanaliaj mbi punën e Faktojes për verifikimin e fotove apo videove të manipuluara, i njohu studentët me raste konkrete sesi edhe politikanët bëhen shpërndarës të fotove apo videove ‘fake’ duke ndikuar në manipulimin opinionin publik. Më tej studentët bashkëbiseduan mbi informacione të ngjashme që qarkullojnë dhe shpërndahen nëpër rrjetet sociale apo faqe të ndryshme online dhe se si kishin ndikuar në jetën e tyre të përditshme.
Trajnimi i studentëve të gazetarisë në Tiranë, vjen pas dy aktiviteteve trajnuese me temë gazetarinë Factchecking dhe luftën kundër dezinformimit që Faktoje zhvilloi në Elbasan dhe Shkodër gjatë këtyre javëve.