Të enjten e 15 shkurtit Faktoje prezantoi në një takim të mbajtur në Dibër, rezultatet e raportit të monitorimit mbi transparencën dhe llogaridhënien, në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”. Ky projekt zhvillohet për të katërtin vit radhazi në bashkëpunim me organizatën amerikane National Endowment for Democracy (NED).
Raporti u bazua në verifikimin e 16 indikatorëve që rrjedhin nga detyrimet ligjore për funksionimin e pushtetit vendor dhe ai për të drejtën e informimit.
Në prani të përfaqësuesve të Bashkisë Dibër, gazetarëve lokalë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, Faktoje paraqiti gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer mbi punën e kësaj bashkie gjatë vitit 2023.
Monitorimi i Bashkisë Dibër, si pjesë e projektit “40 premtime, 10 bashki”, bëhet për të dytin vit radhazi.
Ndër gjetjet kryesore të prezantuara janë ato për përmbushjen e 16 indikatorëve të monitoruar në lidhje me transparencën, ku Bashkia Dibër renditet e 4 me një nivel zbatueshmërie 87.5 për qind.
Faktoje prezantoi edhe rezutatet e verifikimit të 4 premtimeve, ku në Bashkinë Dibër rezultojnë 2 premtime të mbajtura dhe 2 të pambajtura.
Premtimet e përzgjedhura janë për përmirësimin e infrastrukturës apo vaditjen e tokave bujqësore.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Bashkisë së Dibrës, zoti Sajmir Kajnozi.
“Takimi i Faktoje ishte shumë frytdhënës për sa i përket raportimit që ne bëjmë si bashki në lidhje me projektet, buxhetin dhe gjithë informacionet e ndryshme të bashkisë Dibër. Këtë vit transparenca ishte 87.5%, por krahasuar me vitin që kaloi kemi një rritje prej 12.5%, që do të thotë se qoftë ne si bashki jemi munduar që të përmirësohemi, por nuk mund të le pa përmendur edhe organizatën tuaj që na ka ndihmuar që ne si të përmirësohemi dhe si të rritemi si bashki”, deklaroi nënkryetari Bashkisë Dibër.
Bashkitë e monitoruara në kuadrin e projektit “40 premtime në 10 bashki” janë ajo e Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Korçës, Dibrës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Kavajës dhe Himarës.
Analiza tregoi se nga 40 premtime elektorale të fushatës së Majit 2023 në të dhjetë bashkitë, vetëm 5 janë mbajtur plotësisht dhe 11 pjesërisht. Ndërkohë, 24 premtime ose rreth 70% e premtimeve të bëra nga bashkitë apo kryebashkiakët e tyre nuk janë mbajtur.
Monitorimi i kryer nga gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile synon të masë nivelin e transparencës në institucionet e pushtetit vendor në Shqipëri si dhe të nxisë ndarjen e informacionit për publikun si dhe llogaridhënien publike lidhur me vendimmarrjen, por edhe menaxhimin e punës së këtyre institucioneve. Premtimet u monitoruan në bazë të një metodologjie që përfshin analizën buxhetore, monitorimin e prokurimit publik si dhe vëzhgimet në terren. Ndër indikatorët e transprancës ishin programi e transparencës, konsultimi publik si dhe zbatimi i ligjit për të drejtën e informimit.
Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fact Checking Network (IFCN) si dhe European Fact-checking Network (EFCSN).