Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje.al prezantoi këtë të hënë në Durrës, përpara përfaqësuesve të Këshillit Bashkiak, gazetarëve lokalë dhe shoqërisë civile, gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer në harkun kohor të një viti mbi punën e Bashkive Durrës dhe Kavajë.

Në lidhje me këtë aktivitet, Faktoje.al dërgoi një ftesë për pjesëmarrje edhe pranë Bashkive Durrës dhe Kavajë, por institucionet në fjalë nuk morën pjesë në prezantimin e gjetjeve.

Ky monitorim vjen në zbatim të Projektit “40 premtime, 10 bashki”, e mbështetur për të tretin vit radhazi nga organizata amerikane National Endowment for Democracy (NED).

Pjesë e monitorimit për vitin 2024 ishin 10 bashki; Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça, Dibra, Durrësi, Vlora, Fieri, Kavaja dhe Saranda.

Monitorimi është bazuar në dy elementë kryesorë: nivelin e transparencës së pushtetit vendor, si dhe përmbushjen e premtimeve elektorale.

Nisur nga ky monitorim, niveli i transparencës për Bashkinë Durrës arrin në 93.75%, ndërsa për Bashkinë Kavajë në 50%. Kjo përqindje është llogaritur përmes 16 indikatorëve të matjes së transparencës që rrjedh nga kuadri ligjor vendas.

Gjatë takimit, përfaqësues të shoqërisë civile ngritën shqetësimin në lidhje me mungesën e transparencës nga institucionet për sa i përket dhënies së informacioneve.

“Një prej problemeve që vihet re është mungesa e transparencës nga institucionet publike, mosdhënia e informacionit në kohë, duke shkelur afatin 10 ditor. Edhe në rastet kur dërgohet përgjigjia, informacioni është i paplotë”, theksoi Mirjam Reçi nga shoqëria civile.

Bashkitë me performancën më të lartë për transparencën në vitin 2024 janë Shkodra dhe Lezha, të cilat kanë arritur 100% në përmbushjen e kërkesave ligjore për transparencën. Dibra dhe Durrësi janë afruar me një rezultat prej 93.75%. Nga ana tjetër, Bashkia e Elbasanit dhe Kavajës kanë shënuar performancën më të ulët, me një nivel transparence prej 50%.

Për sa i përket mbajtjes së premtimeve, Bashkia Durrës ka 1 premtim të mbajtur dhe 3 të tjerë të pambajtur. Ndërsa, Bashkia Kavajë ka 1 premtim të mbajtur, 1 premtim pjesërisht të mbajtur dhe 2 premtime të pambajtura.

Nga ana tjetër, ekspertja Erisa Proko theksoi gjatë këtij takimi rëndësinë që ka fondi social. “Çdo bashki ka detyrimin që të ketë një plan vendor social, ta ketë të postuar dhe vetëm kur ta ketë të miratuar atë, legjitimohet për të aplikuar dhe për të përfituar fonde nga ky mekanizëm, që është instrument financiar i mirëfilltë”, nënvizoi Proko.

Për periudhën 2020-2024, qendra Faktoje ka verifikuar 135 premtime të bëra nga kryebashkiakët në 21 bashki të ndryshme. Analiza tregon se 76 premtime kanë mbetur të pambajtura, 34 janë përmbushur pjesërisht, dhe vetëm 25 janë realizuar plotësisht.

Bashkitë e Shkodrës dhe Lezhës kanë shënuar rezultatet më të mira në përmbushjen e premtimeve, duke rritur gjithashtu nivelin e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. Ndërkohë, bashkitë e Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës mbeten sfiduese në këtë aspekt.

Monitorimi i kryer nga gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile ka për qëllim matjen e nivelit të transparencës në institucionet e pushtetit vendor në Shqipëri, nxitjen e ndarjes së informacionit me publikun dhe rritjen e llogaridhënies lidhur me proceset e vendimmarrjes dhe menaxhimin e punës së këtyre institucioneve.

Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fact Checking Network (IFCN) si dhe European Fact-checking Network (EFCSN).