Esmeralda Topi
Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje prezantoi online këtë të premte, 21 shkurt, përpara përfaqësuesve të Bashkisë Korçë, Këshillit Bashkiak, gazetarëve lokalë dhe shoqërisë civile, gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer në harkun kohor të një viti mbi punën e kësaj bashkie. Ky monitorim vjen në zbatim të Projektit “40 premtime, 10 bashki”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).
Pjesë e monitorimit për vitin 2024 ishin 10 bashki; Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça, Dibra, Durrësi, Vlora, Fieri, Kavaja dhe Saranda. Monitorimi është bazuar në dy elementë kryesorë: nivelin e transparencës së pushtetit vendor, si dhe përmbushjen e premtimeve elektorale.
Transparenca
Nisur nga ky monitorim, niveli i transparencës për Bashkinë Korçë matur përmes 16 indikatorëve që derivojnë nga kuadri ligjor vendas, arriti nivelin 87.5% duke u renditur e pesta mes 10 bashkive të monitoruara.

Nënkryetarja e bashkisë Korçë, Benila Themeli vlerësoi procesin e monitorimit për të tre komponentët; transparencën, premtimet dhe fondi social.
“Është një mjet që të ndihmon të përmirësosh puënën atje ku ka çaluar. Edhe ne kemi mekanizmat tonë të matjes. Janë të domosdoshëm për ecurinë e punës më tej,” theksoi Themeli.
Premtime
Nga 40 premtime të verifikuara për 10 bashki, vetëm 5 janë mbajtur plotësisht, 14 janë përmbushur pjesërisht, ndërsa 21 premtime nuk janë realizuar. Kjo do të thotë se 52% e premtimeve të monitoruara kanë mbetur të pambajtura.
Sa i përket premtimeve elektorale të monitoruara nga qendra Faktoje, në rastin e Bashkisë Korçë, nga 4 premtime të monitoruara në dy vitet e fundit, 2 premtime janë kategorizuar si të pambajtura dhe 2 të tjerë pjesërisht të mbajtura.
Fondi Social
Fondi social ka si qëllim ofrimin e mbështetjes financiare për njësitë e qeverisjes vendore për përmirësimin e standardeve e të kapaciteteve administruese të shërbimeve ekzistuese të kujdesit shoqëror, krijimin e shërbimeve të reja, si dhe për zhvillimin e politikave sociale në bashki.

Nëpërmjet alokimit të Fondit Social, bashkia e Korçës ju ka dhënë mundësinë për shërbime shoqërore minimale grupeve në nevojë. Nga fondi social në Korçë kanë përfituar;
- Familje që kanë fëmijë të vendosur në institucionet e përkujdesit shoqëror për fëmijë (pavarësisht arsyeve që kanë sjellë ndarjen e fëmijës);
- Familje që janë në rrezik për institucionalizimin e fëmijëve të tyre;
- Familje me vështirësi të theksuara në ushtrimin e prindërimit që ndikojnë në zhvillimin e fëmijës dhe dinamikave familjare;
- Familje me marrëdhënie konfliktuale, duke përfshirë familje të divorcuara, me një prind, kryefamiljare nëna, nëna-vajza, apo në kushtet e një humbje të madhe në familje, etj;
- Familje me anëtarë me probleme të shëndetit mendor apo fizik, përdorimit dhe abuzimit me lëndë alkoolike/narkotike, aftësisë ndryshe;
- Familje kujdestare (profesionale) në nevojë për të përballuar përshtatjen me fëmijën apo menaxhimin e sjelljeve të tij/saj probleme të theksuara prindërimi që mund të ndikojnë dhe/ose në zhvillimin e fëmijës;
- Familje në vështirësi social-ekonomike
Prapavijë
2024 ishte viti i pestë që Faktoje monitoroi performancën transparencës dhe mbajtjen e premtimeve në 10 institucione të pushtetit vendor në Shqipëri në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).
Analiza 5 vjeçare ka treguar se për periudhën 2019-2024, nga 135 premtime të verifikuara nga Faktoje, 76 premtime kanë mbetur të pambajtura, 34 janë përmbushur pjesërisht, dhe vetëm 25 janë realizuar plotësisht.
Bashkitë e Shkodrës dhe Lezhës kanë shënuar rezultatet më të mira në vite për përmbushjen e premtimeve, duke rritur gjithashtu nivelin e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve.
Ndërkohë, bashkitë e Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës mbeten sfiduese në këtë aspekt. Monitorimi ka treguar se kryebashkiakët e këtyre bashkive kanë dështuar në përmbushjen e një numri të konsiderueshëm premtimesh, kryesisht në lidhje me infrastrukturën dhe shërbimet publike.
***
Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fact Checking Network (IFCN) si dhe European Fact-checking Network (EFCSN).