Faktoje prezanton gjetjet e monitorimit në bashkinë e Lezhës

‘40 premtime, 10 bashki’

66

Sot Faktoje ishte në Lezhë, ku prezantoi raportin mbi monitorimin e transparencës dhe mbajtjes së premtimeve. Nga monitorimi rezultoi se niveli i transparencës për Bashkinë Lezhë arrin në 100%. Ndërkohë nga katër premtime, dy janë mbajtur pjesërisht dhe dy të tjera janë ende të papërmbushura.

Esmeralda Topi

Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje prezantoi këtë të martë, 11 shkurt, përpara përfaqësuesve të Bashkisë Lezhë, Këshillit Bashkiak, gazetarëve lokalë dhe shoqërisë civile, gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer në harkun kohor të një viti mbi punën e kësaj bashkie. Ky monitorim vjen në zbatim të Projektit “40 premtime, 10 bashki”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).

Lezhë, 11 shkurt 2025

Pjesë e monitorimit për vitin 2024 ishin 10 bashki; Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça, Dibra, Durrësi, Vlora, Fieri, Kavaja dhe Saranda. Monitorimi është bazuar në dy elementë kryesorë: nivelin e transparencës së pushtetit vendor, si dhe përmbushjen e premtimeve elektorale.

Transparenca

Nisur nga ky monitorim, niveli i transparencës për Bashkinë Lezhë matur përmes 16 indikatorëve që derivojnë nga kuadri ligjor vendas, arriti nivelin 100 % duke u renditur e para mes 10 bashkive të monitoruara.

Kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu vlerësoi procesin e monitorimit sa i përket indikatorëve të transparencës.

“Është raport që na bën mirë, pasi na fut tek më të mirët. Sinqerisht, është një punë e cila është bërë nga i gjithë stafi i Bashkisë Lezhë. Kjo punë voluminoze e ka bërë bashkinë si një pasqyrë ku njerëzit mund të gjejnë gjithçka. Të jesh 100% transparent është luks dhe ky luks duhet të mbahet”, tha Ndreu. 

Sa i përket premtimeve elektorale të monitoruara nga qendra Faktoje, kryetari i Bashkisë Pjerin Ndreu pranoi se ka vend për përmirësime. 

“Duhet të kuptojmë trajektoren e gjërave. Ne kemi ardhur në 2019 në kaos strukturor dhe financiar. Struktura e tejfryrë dhe borxhi ka qenë 4,6 mld lekë, pastaj tërmeti, pastaj pandemia, kriza financiare. Përpjekje e vështirë për të mbajtur ekuilibrin e punës dhe për t’ia dalë në aspektin e transparencës së punëve publike dhe mbajtjes së premtimeve. Ka qenë terren i minuar po mendoj se ia kemi dalë”, argumentoi më tej kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu. 

Nga 40 premtime të verifikuara për 10 bashki, vetëm 5 janë mbajtur plotësisht, 14 janë përmbushur pjesërisht, ndërsa 21 premtime nuk janë realizuar. Kjo do të thotë se 52% e premtimeve të monitoruara kanë mbetur të pambajtura. 

Prapavijë

2024 ishte viti i pestë që Faktoje monitoroi performancën transparencës dhe mbajtjen e premtimeve në 10 institucione të pushtetit vendor në Shqipëri në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).

Analiza 5 vjeçare ka treguar se për periudhën 2019-2024, nga 135 premtime të verifikuara nga Faktoje, 76 premtime kanë mbetur të pambajtura, 34 janë përmbushur pjesërisht, dhe vetëm 25 janë realizuar plotësisht.

Bashkitë e Shkodrës dhe Lezhës kanë shënuar rezultatet më të mira në vite për përmbushjen e premtimeve, duke rritur gjithashtu nivelin e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve.

Ndërkohë, bashkitë e Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës mbeten sfiduese në këtë aspekt. Monitorimi ka treguar se kryebashkiakët e këtyre bashkive kanë dështuar në përmbushjen e një numri të konsiderueshëm premtimesh, kryesisht në lidhje me infrastrukturën dhe shërbimet publike.

***

Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fact Checking Network (IFCN) si dhe European Fact-checking Network (EFCSN).