Pretendimi: Organizata Botërore e Shëndetit pranon se vaksinat mRNA shkaktojnë epidemi kanceri në moshën nën 50 vjeç

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————–

Një artikull i botuar më 8 mars në portalin mast.al pretendon se Organizata Botërore e Shëndetit ka paralajmëruar se vaksinat mRNA po shkaktojnë “epidemi të kancerit të gjirit” në mbarë botën.

Artikulli i citon tabloidin britanik The Daily Mail dhe përmend Agjencinë Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC).

Me këto fjalë kyçe, Faktoje gjeti artikullin e Daily Mail të cilit i referohet mast.al. 

Megjithatë, ai mban titullin “Bomba e kancerit të gjirit: Vdekjet në Mbretërinë e Bashkuar nga sëmundja po rriten me mbi 40 për qind – ndërsa misteret në moshën nën 50 vjeç vazhdojnë të hutojnë mjekët,” dhe nuk përmend fare vaksinat mRNA. 

Artikulli i Daily Mail

Sipas Daily Mail, ekspertët nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) e OBSh ekzaminuan të dhënat e kancerit nga mbi 50 vende të ndryshme, përfshirë Britaninë e Madhe. Ata fajësuan një popullsi në rritje dhe në plakje, të kombinuar me stile jetese jo të shëndetshme, për rritjen e parashikuar të rasteve. Vaksina mRNA nuk u përmend.

Rreth 23% e rasteve të kancerit të gjirit në Mbretërinë e Bashkuar mendohet se mund të parandalohen, me rreth 8% të rasteve të shkaktuara nga mbipesha dhe 8% nga pirja e tepërt e alkoolit. Por plakja është faktori kryesor i rrezikut për çdo lloj kanceri, i shkaktuar kryesisht nga dëmtimi i ADN-së qelizore me kalimin e kohës.

Sipas koordinatorit të Konsorciumit të Covid-19 dhe Kancerit, një regjistër përkushtuar mbledhjes së të dhënave mbi personat me kancer dhe Covid-19, “që nga fillimi i vaksinimit, nuk ka prova që vaksinat anti-Covid shkaktojnë kancerin, shkaktojnë rishfaqje të kancerit, apo shkaktojnë përkeqësimin e sëmundjes.”

I njejti pohim u përsërit edhe nga një zëdhënës nga Projekti i Njohurisë së Vaksinave në Universitetin e Oksfordit, i cili tha për Reuters se nuk është gjetur një lidhje shkak-pasojë mes vaksinimit dhe kancerit.

Studimet shkencore ose nuk kanë gjetur një lidhje mes vaksinimit në përgjithësi dhe rrezikut të limfomës, ose kanë vërejtur një ulje të këtij rreziku pas vaksinimit.

Një sërë studimesh kanë treguar se vaksinat anti-Covid gjenerojnë qeliza të bardha gjaku, të cilat janë kyç në ngritjen e imunitetit të trupit, specifike për Covid-19. Këto qeliza, të quajtura limfocite-T, ndihmojnë në organizimin e reagimit të sistemit imunitar dhe vrasin qelizat e infektuara me Covid-19. Limfocitet-T luajnë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e trupit kundër viruseve dhe baktereve si dhe kundër sëmundjeve si kanceri.

Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) dhe një numër organizatash me fokus kancerin këshillojnë që pacientët me kancer të vaksinohen kundër Covid-19.