Pretendimi: Një video dëshmon se gjaku i të vaksinuarve mpikset më shpejt se normalja në flakonet mjekësore.

Verdikti: Missing context

—————————————————–

Në rrjete sociale po qarkullon video e një kampioni gjaku, shoqëruar me pretendimin se ai përket një pacienti të vaksinuar dhe është mpiksur në flakonin mjekësor brenda 3 minutash, ndërkohë që koha normale e mpiksjes është 30 minuta.

Në videon 22-sekondëshe, dëgjohet zëri i një gruaje që thotë: “Pra, gjaku i këtij pacienti u mor para 3 minutash. Po mpikset që tani në tub. Kjo nuk është normale, zakonisht duhen 30 minuta.”

Gruaja në video nuk përmend vaksinimin, dhe nuk pretendon se gjaku ka ardhur nga një pacient i vaksinuar.

Gjithashtu, nuk dihet nëse kampioni i treguar në video është vërtet gjak apo një substancë tjetër. Edhe nëse kampioni është gjak, nuk është e qartë kujt i përket ai, kur dhe në çfarë rrethanash është marrë, dhe se çfarë mund ta ketë shkaktuar mpiksjen e tij të shpejtë.

Informacioni i dhënë në video nuk është i mjaftueshëm për të pretenduar se gjaku i personave të vaksinuar mpikset më shpejt se ç’është normale.

Sa i përket vaksinimit dhe mpiksjes së gjakut, një numër studimesh kanë treguar se vaksinat Moderna dhe Pfizer-BioNTech nuk ngrenë rrezikun e formimit të mpiksjeve të gjakut. Megjithatë, dy vaksina kundër COVID-19 shoqërohen me një sindromë jashtëzakonisht të rrallë të njohur si VITT. Në Mars 2021 u zbulua një lidhje me vaksinën AstraZeneca dhe më pas me vaksinën Johnson & Johnson . Në raste të rralla (2-20/milion) antitrupat që trupi prodhon si efekt anësor i vaksinës çojnë në aktivizim të pakontrolluar të trombociteve. Kjo shkakton si numër të ulët të trombociteve ashtu edhe formimin e mpiksjeve të gjakut.

Shfaqja e këtij antitrupi të rrallë është një ngjarje e rastësishme pa një lidhje të njohur me historinë mjekësore të një personi ose ndonjë sëmundje të veçantë.