.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëEmiriana Sako: Nxënësit e shkollës “Pal Zefi” do mësojnë në kushte komode

Emiriana Sako: Nxënësit e shkollës “Pal Zefi” do mësojnë në kushte komode

Ina Allkanjari

Në shtator 2021, kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, garantoi proces mësimor në kushte komode për nxënësit e shkollës 9 vjeçare “Pal Zefi” në fshatin Rrushkull. Por nga një verifikim i Faktoje, pas shqëtësimit të disa prindërve, rezultoi se ky institucion prej dy vitesh, po zhvillon mësim në kushte jo normale. Shkolla në fjalë shërben si pritëse edhe për 700 nxënës nga një fshat tjetër, ku pritet përfundimi i rindërtimit të shkollës së re. Përveç mësimit me turne, për shkak të katërfishimit të numrit të nxënësve, në shkollën “Pal Zefi” të Rrushkullit mungon ngrohja, ndaj prindërit detyrohen të sjellin ngrohëse nga shtëpitë.

———————————

“Isha sot në shkollën 9-vjeçare “Pal Zefi” dhe në kopshtin me të njëjtin emër në Rrushkull në njësinë administrative Sukth. Të hënën kjo shkollë do të mirëpresë 245 nxënës dhe 57 fëmijë që do të mësojnë në ambiente komode”- deklaroi në 23 shtator 2021 kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.

Në fillim të muajit janar të këtij viti disa prindër ngritën shqetësimin se kushtet në shkollën “Pal Zefi” janë të papërshtatshme për fëmijët e tyre, duke theksuar se pas tërmetit të nëntorit 2019, shkolla 9 vjeçare po funksionon me gati 4 fishin e kapacitetit normal, pasi aty mësojnë edhe mbi 700 nxënës nga një tjetër fshat. Ky kontigjent i përket shkollës së mesme të bashkuar “Ismet Nanushi” në fshatin Kullë, e cila ende pritet te hapë dyert pas përfundimit të procesit të rindërtimit nga tërmeti i nëntorit 2019.

Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë Durrës dhe Ministrisë së Arsimit për situatën e krijuar dhe nëse shkolla “Pal Zefi” ofron sistem ngrohjeje.

Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar Bashkisë Durrës datë 14.01.2022

Në përgjigjen zyrtare të ardhur për Faktoje, Bashkia Durrës shkruan se Shkolla 9 vjeçare “Pal Zefi” Rrushkull, është shkollë e ndërtuar në vitin 2008 dhe nuk disponon sistem ngrohje.

“Ngrohja në këtë shkollë për kopshtin dhe ciklin fillor bëhet me dru zjarri, ndërsa për ciklin 9 vjeçar me rezistenca. Bashkia Durrës, ne PBA 2022-2024 do të marrë masa për futjen në buxhet të sistemit të ngrohjes, pasi shkolla hyn në shkollat e reja të mirëmbajtura”, shkruan Bashkia Durrës.

Screenshot, përgjigja e Bashkisë Durres

Faktoje bëri një vëzhgim në shkollën 9-vjeçare “Pal Zefi” në Rrushkull, ku mësuam se nxënësit e dy shkollave zhvillonin mësimin në klasa pa ngrohje në këto ditë të ftohta.

Kushtet e shkollës këtu janë skandal, pa ngohje pa gjë. Ne jemi nxënës të shkollës “Pal Zefi”. Ne e bëjmë mësimin paradite, ndërkohë vetëm fillorja e shkollës “Ismet Nanushi” e zhvillon mësimin paradite bashkë me ne. Nxënësit e 9-vjeçares dhe të mesmes së shkollës “Ismet Nanushi” e zhvillojnë mësimin mbasdite. Për nxënësit e paradites që janë më të vegjël, disa prindër kanë sjellë ngrohëse nga shtëpia pasi në këto temperatura të ulta, është e papërballueshme. Por ne të 9-vjeçares nuk kemi ngrohje në klasë”- tregon një nxënës i klasës së 8 të shkollës “Zef Pali”.

Shkolla 9-vjeçare “Pali Zefi” Rrushkull

Të njëjtin shqetësim ngrenë edhe prindërit e nxënësve të shkollës “Ismet Nanushi”, të cilët theksojnë se përveç kushteve të vështira në të cilat zhvillohet mësimi, për shkak të mungesës së ngrohjes, një tjetër problem është transporti i fëmijëve nga fshatra të ndryshëm për në shkollën pritëse “Pal Zefi” në Rrushkull.

“U bë dy vite që sjellim fëmijët në këtë shkollë. Këtu mundohen të shkollohen, të shkretët nxënës vijnë këtu nga halli se shkolla e tyre po rindërtohet. Njëherë u tha që në 6 janar do futen në shkollë të re, por e pezulluan dhe prapë vijojnë të vijnë nga fshati Kullë. Torturë po kalojmë. Fëmijët e vegjël dalin në të ftohtë, marrin autobusë për të ardhur dhe për t’u kthyr nga shkolla. Përpiqem kur nuk jam në punë ta sjell vetë gocën në shkollë, pasi ndodhet larg dhe në rastet kur detyrohet të vijë me autobusin që ka përcaktuar shkolla, nuk jam i qetë se ka mbingarkesë nxënësish. Kushtet e shkollës këtu janë skandal, pa ngohje.”

B.L. prindi i një nxënësi të klasës së gjashtë, tha për Faktoje:

“Ngrohje nuk ka, kushtet nuk janë të mira. Kanë sjellë vetëm disa drunj për sobën, për nxënësit e fillores dhe të kopshtit, ndërsa për nxënësit e 9-vjeçares dhe të mesme nuk ka ngrohje, nuk bëhet fjalë fare.  Kemi ngelur peng, akoma nuk kemi një datë fikse se kur do të hapet shkolla “Ismet Nanushi”, paraprakisht në kanë thënë që do të jetë gati në muajin shkurt”.

Shkolla 9 vjeçare“Pal Zefi” Rrushkull, autobusi që transporton nxënësit e fshatit Kullë

Ky shqetësim konfirmohet edhe nga mësuesit e shkollës “Ismet Nanushi”, të cilët teksa shoqërojnë nxënësit në autobusin që i transporton për në fshatin Kullë, shprehen për Faktoje:

“Të gjitha klasat në dimër janë me ujë, futemi i pastrojmë vetë. Ishalla të kalojmë në shkollën tonë sa më shpejt. Është e vështirë, fëmijët kanë shumë ftohtë, nuk kemi ngrohje, dritaret dhe dyert nuk puthiten mirë. Është një torturë e vërtetë. Të gjithë nxënësit e shkollës “Ismet Nanushi” e zhvillojnë mësimin këtu, cikli i ulët është paraditë, ndërsa 9-vjeçarja dhe e mesmja pasdite. Janë rreth 700 nxënës të Ismet Nanushit që po zhvillojnë mësimin prej dy vitesh në këtë shkollë 9-vjeçare jashtë kapaciteteve. Shumë shpejt na kanë thënë që do kalojmë të shkolla jonë, presin që të vendoset impanti i ngohjes, sepse të gjitha gjërat e tjera kanë mbaruar”.

Shkolla pritëse“Pal Zefi”, Rrushkull

Faktoje vendosi të verifikojë edhe ecurinë e punimeve për shkollën e bashkuar “Ismet Nanushi”, në fshatin Kullë, nxënësit e të cilës detyrohen të udhëtojnë prej dy vitesh për në Rrushkull.

Shkolla e Mesme e Bashkuar “Ismet Nanushi” në Kullë

Në terren takuam inxhinieren zbatuese të projektit e cila konfirmoi për Faktoje:

Rreth 700 nxënës pritet të nisin mësimin në shkollën e mesme të bashkuar “Ismet Nanushi” e cila pritet të përfundojë në muajin shkurt. Në këtë godinë do të ndjekin mësimin nxënës nga klasa e parë deri në vitin e 3 gjimnaz, gjithashtu është implementuar edhe kopshti. Shumica e pajisjeve të nevojshme si banka, karrige etj. janë vendosur në klasa, gjithçka është drejt përfundimit, kemi pasur vonesa me disa pajisje kondicionimi. Aktualisht jemi në fazën e pastrimit total.”

Shkolla e Mesme e Bashkuar “Ismet Nanushi” në fshatin Kullë

Shkolla e mesme e bashkuar “Ismet Nanushi” në Kullë, njësia administrative Sukth, e cila ka në përbërje të saj kopshtin, shkollën 9-vjeçare dhe shkollën e mesme iu nënshtrua procesit të rindërtimit pas tërmetit të 2019-s. Kjo shkollë bën pjesë në listën e 22 objekteve arsimore që janë rindërtuar ose janë në proces, nga program i financuar nga Bashkimi Europian EU4Schools.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img