BallinaFaktometerE vërtetëNumër i kufizuar testesh të shpejta në qendrat shëndetësore, MSH refuzon të përgjigjet për sasinë që ka gjendje

Numër i kufizuar testesh të shpejta në qendrat shëndetësore, MSH refuzon të përgjigjet për sasinë që ka gjendje

Shtimi i infektimeve nga Covid dhe variantet e reja, ka rritur kërkesën për teste të shpejta. Madje qeveria amerikane ka shpallur nismën për shpërndarjen falas të tyre, si përgjigje ndaj situatës emergjente dhe gjurmueshmërisë në kohë të rasteve. Nga një verifikim i Faktoje, në Tiranë dhe Lushnje, rezulton se qendrat shëndetësore ofrojnë testet e shpejta, siç deklaroi ministrja e Shëndetësisë. Megjithatë ky institucion la pa përgjigje kërkesën e Faktojes se çfarë sasie ka gjendje dhe nëse parashikohet porostja e testeve shtesë, duke parë numrin në rritje të rasteve.


“Në qendrat tona shëndetësore ofrohet edhe testimi i shpejtë i antigenit dhe është një testim, i cili ndihmon shumë mjekun e familjes për të bërë verfikimin apo diagnozën diferenciale dhe për të ndjekur në vijim pacientët e prekur nga COVID-19”- tha më 18 janar Ministrja e Shëndetësisë, ndërkohë që numri i zyrtar që raporton të prekurit po i afrohet 3000 rasteve në ditë.

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje vendosi të bënte një vëzhgim në disa qendra shëndetësore në kryeqytet dhe në Lushnje, në lidhje me furnizimin e testeve të shpejta.

Nga një vëzhgim në qendrën shëndetësore 7 në zonën e Laprakës konstatuam radhë të gjata pacientësh në pritje të kryerjes së ttestit të shpejtë, vizitave për shkak të simptomave të gripit.

Foto të qendrës Laprakë i mbushur me persona.

“Rradha është shumë e madhe. Të gjithë këto persona që vijnë janë me simptoma si të Covidit dhe prandaj shumica kërkojnë që të bëjnë test të shpejtë. Por jo çdokush mund të bëjë test të shpejtë, sepse dhe vetë qendra shëndetësore ka një numër të kufizuar të testeve”- shprehet një infermiere në qendrën shëndetësore numër 7.

Ajo shpjegon për Faktojen procedurat që duhet të ndjekë një person për të bërë testin e shpejtë.

“Si fillim të paraqitet në qendrën shëndetësore, të ekzaminohet nga mjekja e familjes e nëse ajo ka dyshime që është i infektuar i vendos një orar kur duhet të vijë të bëjë testin e shpejtë. Por gjithmonë duhet të ketë rekomandim e mjekut, nëse nuk e ka atë nuk e bën dot.”- sqaroi infermierja.

Anila, banore në Laprakë, tregon se është kthyer për herë të dytë në qendrën shëndetësore brenda pak ditësh.

“Erdha në fillim, sepse dyshova që kisha Covid-19 nga shenjat që kisha, por nuk e bëra dot testin e shpejtë pasi nuk kisha rekomandimin e mjekut. Prandaj zgjodha si zgjidhen më të shpejtë të shkoja në një labrator e ta bëja. Më kushtoi 15 euro dhe dola negativ. Por tani vazhdoj të kem simptoma dhe do e kryej sërish testin, këtë herë në shtet”

Pas vëzhgimit në qendrën shëndetësore në Laprakë, u nisëm drejt qendrës shëndetësore në zonën e ish- Kombinatit, ku gjetëm një situatë të ngjashme.

“Kam 30 minuta që pres, shikojeni vetë si është rradha. Njëri kollitet, tjetri ka temperaturë. Nuk po flasim për maska që shumica nuk i mban ose edhe ato që i mbajnë nuk i vendosin si duhet.”- tregon zoti Alfred ndërkohë që pret rradhën për t’u vizituar.

Faktoje pyeti në recepsionin e qendrës shëndetësore numër 6 ku mori këtë sqarim:

“Bëhen teste të shpejta. Por duhet rekomandimi i mjekut, pa atë nuk bëjmë dot asgjë.”

Foto të qendrës shëndetësore së Kombinatit

Të pyetur se sa teste të shpejta ka aktualisht në dispozicion qendra shëndetësore, punonjës të saj thanë për Faktoje:

“Nuk e dimë numrin e saktë, por kohët e fundit po rritet kërkesa për testet e shpejta. Mund të shkojë mesatarja nga 15-30 veta në ditë.”

Faktoje ishte edhe në qendrën shëndetësore numër 10 ku mësuam se kanë teste të shpejta gjendje, por ai kryehet vetëm pas ndjekjes së procedurës.

“Nevojitet rekomandimi i mjekut të familjes që të bëni testin e shpejtë. Ai ju vendos orarin dhe ditën kur ta bëni.”- tregon recepsionistja e qendrës shëndetësore numër 10.

Ndërkohë nga një verifikim në qytetin e Lushnjës, mësuam se në ambientet e OSHKSH (Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor) në qytetin, që ndodhej pranë Poliklinikës dhe qendrave shëndetësore 1 dhe 2 ofroheshin testet e shpejta të Covid-19, por edhe PCR.

Infermierja dhe mjeku na sqaruan procedurën për të bërë testet e shpejta dhe PCR:

“Nëse ka shenja të Covid dhe ka shfaqur probleme mund të paraqiteni këtu për të bërë testin e shpejtë. Nëse ka shumë ditë me simptoma mund të bëjmë edhe PCR, por e dërgojmë në Tiranë dhe duhet pritur për përgjigjen.

Pra, nëse ka ditë me simptoma dhe testi i shpejtë i del pozitiv, është pozitiv si rast. Nëse ka shenja dhe testi nuk na jep gjë, i marrim testin PCR”.

Operatori i Kujdesit Shëndetësor, Lushnjë, janar 2022

Më herët, kur numri i raportuar i të prekurve nisi të rritej, pas festave të fundvitit, Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë se sa është numri i testeve të shpejta të shpërndara nëpër qendra dhe sa janë porositur.

Kërkesa dërguar Ministrisë së Shendetësisë

 

6 janar 2022

 

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli dhe kur janë tejkaluar afatet sipas Ligjit për të Drejtën e Informimit, Ministria e Shëndetësisë nuk ka kthyer përgjigje.

 

Si janë përgjigjur shtetet e tjera ndaj kërkesës së rritur për teste të shpejta

 

Pak ditë më parë, administrata e SHBA, me urdhër të president Biden, shpalli nismën për shpërndarjen ‘derë më derë’ të testeve të shpejta, duke porositur paraprakisht një milliardë kite.

Ndwrkohw, nga një hulumtim i shërbimeve faktverifikuese, anëtare të Rrjetit Ndërkombëtar të Organizatave  Fact-checking ku bën pjesë edhe Faktoje, rezulton se disa vende si Gjermania, Tajlanda, Tajvani, Danimarkë, Estonia, Franca, etj. ofrojnë teste të shpejta falas për popullatën sipas një plani të qartë. Aktualisht Gjermania i jep mundësinë çdo qytetari për një test antigjeni falas, të paktën një herë në javë në qendrat publike të testimit.

Franca, para 15 tetorit 2021 i kishte falas testet e shpejta antigjen, për të gjithë popullsinë, të vaksinuar dhe të pavaksinuar, por tanimë testet e shpejta të antigjenit siç raportojnë shërbimet vendase factchecking, janë falas vetëm për ata që janë vaksinuar, ose që janë duke u testuar për arsye mjekësore (me kusht që të kenë një recetë nga mjeku).

Tajlanda ofron kit testimi antigjenit falas për personat që i përkasin grupeve të rrezikuara.

Slloveni, buxheti siguron financimin e testeve të shpejta për të gjithë personelin  shëndetësor publik.

Në Tajvan, qeveria ofron teste të shpejta të antigjenit falas dhe me pagesë. Testi i shpejtë i antigjenit falas është për qytetarët me rrezik të lartë që figurojnë në një regjistër të veçantë. Ndërsa  Danimarka ofron teste të shpejta të antigjenit në qendrat e testeve për të gjithëgrupmoshat mbi 6 vjeç. Edhe Estonia ofron teste të shpejta të antigjenit falas në të gjitha shkollat ​​dhe kopshtet. Testimi kryhet të paktën dy herë në javë tek të gjithë punonjësit dhe nxënësit mbi 12 vjeç, pavarësisht nga statusi i vaksinimit.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img