.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookEMA nuk ndryshoi rekomandimin, vaksina e Covid-19 nuk ndikon në fertilitet

EMA nuk ndryshoi rekomandimin, vaksina e Covid-19 nuk ndikon në fertilitet

Zyrtarët e shëndetësisë vazhdojnë të rekomandojnë vaksinën kundër Covid-19 gjatë shtatzënisë, pavarësisht pretendimeve që qarkullojnë në mediat sociale se ajo ndikon në fertilitet dhe abort. Studimet dhe mjekët specialistë argumentojnë se vaksinat janë të sigurta dhe se injektimet nuk ndikojnë në fertilitet apo shkaktojnë aborte.

Në një artikull që mban datën 3 qershor, portalet pretendojnë se Agjencia Europiane e Barnave ka deklaruar se vaksinat shkaktojnë fertilitet dhe aborte.

EMA/Agjencia Europiane e Barnave, mbas dy vitesh vonëse e pranon: ‘Vaksinat shkaktojnë fertilitet dhe aborte”-shkruan portali “Patriotik Media”.

Screenshot, artikulli i publikuar nga “Patriotik Media”

Këto aludime të ngritura në shkrim thuhet se i referohen një artikull të medias “Il Giornale D’Italia”, por në fakt janë më shumë intepretime të bëra nga portali “Patriotik Media”. Referuar publikimit të bërë, supozohet se provat për këto efekte negative vinin nga një njoftim për shtyp i bërë nga EMA në tetorin e vitit 2022, ku thuhej: “Gjakderdhja e rëndë menstruale duhet të shtohet në informacionin e produktit si një efekt anësor i frekuencës së panjohur të vaksinave mRNA COVID-19 Comirnaty (Pfizer) dhe Spikevax (Moderna)”.

Pretendime të ngjashme u bënë në një artikull të 30 majit 2023 të botuar nga “The Expose”, një faqe interneti që AFP ka verifikuar vazhdimisht për përhapjen e dizinformatave në lidhje me vaksinat.

Mirëpo, në një deklaratë zyrtare për “Associated Press”, EMA i quajti këto pretendime si një fushatë e qëllimshme dizinformimi

Këto pretendime janë një keqinterpretim i vendimit të komitetit të sigurisë së EMA (PRAC) për të shtuar gjakderdhjen e rëndë menstruale si një efekt anësor. Komiteti specifikoi, në komunikimin e shpërndarë në kohën e rekomandimit, se nuk ka asnjë provë ose mekanizëm të besueshëm për të sugjeruar se ndryshimet menstruale të përjetuara nga disa gra pas vaksinimit kanë ndonjë ndikim në fertilitet”, thuhet në deklaratën e EMA.

EMA konfirmoi se nuk e ka ndryshuar udhëzimin e saj duke këshilluar gratë që janë shtatzëna të vaksinohen në përputhje me rekomandimet që janë në fuqi në vendet përkatëse.

Gjithashtu, Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kanadasë rekomandon vaksinimin kundër Covid-19 për t’u mbrojtur gjatë shtatzënisë, ashtu si edhe Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Në lidhje me këtë çështje, AFP kontaktoi gjithashtu Komisionin Evropian, ku theksuan se nuk janë shprehur kundër vaksinimit për gratë shtatzëna.  “Komisioni fton të gjithë të ndjekin rekomandimet e EMA-s”, tha një zëdhënës për AFP.

Bazuar në studimet e publikuara deri më tani, nuk ka asnjë provë shkencore për ndonjë lidhje midis vaksinave të COVID-19 dhe fertilitetit tek burrat ose gratë. “Faktoje” kontaktoi për të konfirmuar më tej këtë qëndrim zyrtar, mjeken gjinekologe, Mimoza Keta, e cila theksoi se këto pretendime nuk qëndrojnë: “Vaksinat e Covid-19 nuk ndikojnë as në fertilitet dhe as nuk janë shkaktarë të aborteve”, sqaroi gjinekologia.

Vaksinimi gjatë shtatzënisë është një temë që është trajtuar edhe më parë nga kolegët e verifikimit të fakteve në Europë, të cilët kanë kontaktuar profesionistë të shëndetit për t’u siguruar në lidhje me efektshmërinë dhe pasoja e mundshme që ato mund të kenë.

Ne kemi të dhëna për mijëra gra shtatzëna që kanë marrë këto vaksina dhe nuk ka asnjë indikacion që vaksinimi kundër Covid është i lidhur me aborte spontane,” është shprehur Nicolas Dauby, një specialist i sëmundjeve infektive në spitalin ‘CHU Saint-Pierre’ në Bruksel.

Më tej, në një deklaratë të bërë më 2 qershor, ai shtoi: “Përkundrazi, ne e dimë se vaksinimi kundër Covid-it është i sigurt për nënën dhe foshnjën, ndërsa një infeksion Covid gjatë shtatzënisë shoqërohet me një rrezik të shtuar për lindje të parakohshme”.

Pretendimet e rreme për vaksinat vazhdojnë të qarkullojnë në internet, më shumë se dy vjet që nga nisja e aplikimit të tyre.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img