Pretendimi: OKB i bën thirrje të gjitha vendeve të njohin shtetin palestinez

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————–

Titulli i artikullit të portalit TVA News keqinterpreton një deklaratë nga një grup ekspertësh të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) si të ishte veprim i vetë organizatës.

Në të vërtetë, më 3 qershor 2024, një grup ekspertësh të OKB këshilluan të gjithë shtetet anëtare të njohin shtetin palestinez dhe të përdorin të gjithë mjetet diplomatike dhe politike për të mundësuar një armëpushim në Gaza.

Në vetë deklaratën e botuar në faqen e Komisionerit të Lartë të OKB për të Drejtat e Njeriut, specifikohet se ekspertët në fjalë janë pjesë e një trupe të pavarur ekspertësh të angazhuar në gjetjen e fakteve dhe mekanizmat monitoruese që adresojnë situata në vende specifike ose çështje të një teme të caktuar botërisht.

Raportimi në faqen zyrtare të lajmeve të OKB, gjithashtu, specifikon se këta ekspertë të të drejtave të njeriut “nuk janë staf i OKB por raportojnë tek Këshilli i të Drejtave të Njeriut”.

Thirrje e ekspertëve të OKB nuk është e njejtë me thirrjen e OKB.

Për krahasim, në 11 maj 2024, OKB i bëri thirrje Këshillit të Sigurisë të pranonte Palestinën si anëtare. Asambleja e Përgjithshme e OKB votoi pro një rezolute e cila “rekomandon” që Këshilli i Sigurisë i OKB të rikonsiderojë favorshëm çështjen e anëtarësimit të Palestinës.

Vlen të përmendet këtu se rezolutat e miratuara nga Asambleja e Përgjithshme, ndryshe nga ato të miratuara nga Këshilli i Sigurisë, nuk janë ligjërisht të detyrueshme.

Në rastin e njohjes së shtetit palestinez, ende nuk është depozituar ndonjë rezolutë lidhur me të në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Nëse një rezolutë që rekomandon njohjen e Palestinës do të miratohej në këtë trup, atëherë titulli i TVA News do të ishte i saktë.