Pas thuajse 5 vitesh nga nisja e punimeve, Eko Parku, dikur landfilli i mbetjeve në Porto Romano, është zyrtarisht i hapur për publikun. Hyrja në terrenet sportive, sipas konfirmimit të bashkisë Durrës, do të jetë me pagesë.
Në muajin dhjetor të vitit 2019, kryeministri Edi Rama inspektoi punimet në Porto Romano, aty ku kishte nisur puna për shndërrimin e fushës së mbetjeve në një park. Në shtator të vitit 2022, Bashkia e Durrësit tha për Faktoje se projekti ishte në fazë kolaudimi dhe pritej të hapej së shpejti.
“Projekti i Eko Parkut pritet të hapet sapo të përfundojë procesi i kolaudimit të objektit dhe dorëzimi te Bashkia Durrës për shfrytëzim”, njoftoi zyrtarisht Bashkia e Durrësit.
Kur kanë kaluar më shumë se 4 vite nga nisja e punimeve dhe shumë premtimeve nga zyrtarët publikë, më në fund Eko Parku, një investim me vlerë 1.95 miliardë lekë është hapur. Faktoje mësoi nga Bashkia e Durrësit se Eko-Parku u hap në 15 janar të këtij viti dhe për më shumë se dy muaj, ka qenë falas për qytetarët.
“Eco-Park Durrës ka filluar funksionalitetin e saj nga data 15 Janar 2024, është tërësisht funksional në shërbim të qytetarëve. Në Eco-Park, përveç kalimit të kohës së lirë nga qytetarët, zhvillohen aktivitete sportive.
Aktivitetet sportive zhvillohen në fushat e basketbollit, tenisit, futbollit dhe gjithashtu janë zhvilluar olimpiada sportive nga Shkollat e Mesme të qytetit të Durresit, hyrja e lirë pa pagesë.
Në palestrën e hapur dhe në terrenet e hapura kanë zhvilluar aktivitete edhe trupa baleti, si dhe fitness dhe aerobi, pa pagesë”, bën të ditur institucioni.
Eko Parku me pagesë
Bashkia thekson se duke nisur nga data 3 prill 2024 hyrjet do të jenë me pagesë për terrenet sportive.
“Deri në datën 2 prill 2024 Eco-Park është i hapur për hyrje të lira dhe pa pagesë, me qëllim promovimin. Në vazhdimësi, hyrjet do të jenë me pagesë vetëm për terrenet sportive, basketboll, volejboll, tenis, futboll dhe muri alpinizmit”, njofton Bashkia e Durrësit.
Në Vendimin e Këshillit Bashkiak që mban datën 22 dhjetor 2023, është përcaktuar plani tarifor mbi pagesat e biletave hyrëse. Çmimet variojnë nga 500 lekë për ngjitjen e murit, në 800 lekë dhe deri në 1 mijë lekë për terrenet sportive.
Lista e çmimeve për hyrjen te Eco Parku
Faktoje bëri një verifikim në terren më 27 mars, për të parë nga afër parkun. Punimet kishn përfunduar dhe lejohej hyrja në mjediset e tij. Në momentin e verifikimit, fushat ishin të mbyllura dhe nuk po zhvilloheshin aktivitete sportive.
Premtimet e shumta për Eco Parkun
E gjendur rreth 4 kilometra larg qytetit, fusha shërbeu në dekada për depozitimin dhe djegien e mbetjeve në një sipërfaqe rreth 80.000 m2, të mbushur me mbeturina urbane, inerte, mbetje të rrezikshme dhe kafshë të ngordhura.
Në qershor të vitit 2018, kryeministri Edi Rama foli për ndërtimin e Eko Parkut që do të zëvendësonte fushën e mbetjeve urbane në Porto-Romano.
Në vitin 2019, kryeministri Edi Rama deklaroi: “Xhuli [Zhyljen Varfaj, kryetar i komanduar i Bashkisë Durrës asokohe] më 1 qershor të 2021 duhet të jetë festa më e madhe që kanë parë kalamajtë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, këtu me parkun e ri të Durrësit”.
Premtime për hapjen e Eko Parkun janë bërë edhe nga kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako. Në muajin mars të vitit 2021, Sako tha se projekti i parkut do të përfundonte në tetor të atij viti.
Një tjetër premtim për këtë park është bërë edhe nga ministrja Belinda Balluku në maj të vitit 2021. Ajo premtonte se në fund të shtatorit do të përfundonin punimet.
Banorët e zonës e kanë pritur me padurim hapjen e parkut, i cili është i pari në këto përmasa në të gjithë territorin e Bashkisë së këtij qyteti.
Përfundim
Pas dështimit për rreth 5 vite për ndërtimin e Eko Parkut, më në fund këtë premtim e kategorizojmë të mbajtur.