.

.

BallinaAktualitetE shtuna e “liridaljes” në Tiranë, para se gjithçka të mbyllej për 40 orë

E shtuna e “liridaljes” në Tiranë, para se gjithçka të mbyllej për 40 orë

JOEL ÇELA

Të gjithë drejt marketeve dhe tregjeve të fruta-perimeve, për t’u kthyer në shtëpi, brenda orës 13:00. Kjo ishte pamja e Tiranës këtë të shtunë, pas urdhërit të kryeministrit që “ngrin” çdo aktivitet deri të hënën në orën 05:00.

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit po shkojnë në ekstrem, me oraret e lëvizjes në rrugë që u reduktuan sërish. Të premten e 20 marsit kryeministri Rama njoftoi masat e reja përmes një postimi në Facebook.

Çdo qytetar pati në dispozicion 8 orë në fashën 05:00-13:00 të së shtunës para se të mbyllej në shtëpi deri të hënën në orën 05:00.

“Faktoje” doli në terren për të vëzhguar çfarë ndodhte në rrugët e Tiranës gjatë 8-orëshit të “liridaljes”.

Orari i reduktuar ka sjellë përqëndrim njerëzish që nxitonin të bënin blerje në të paktat pika tregtimi që janë lejuar të qëndrojnë hapur këto ditë. Ndryshe nga ditët e mëparshme kur qytetarët mblidheshin përpara sporteleve të bankave, pikave të shërbimeve dhe zyrës së postës, gjatë kësaj të shtune fluksi u përqëndrua tek marketet dhe tregjet e fruta-perimeve. Shumica e blerësve, të pajisur me maska dhe doreza, kanë shfrytëzuar orarin e lëvizjes për të blerë kryesisht ushqime dhe produkte të përdorimit të përditshëm nga marketet.

Një qytetare me inicialet D.I.  tha për Faktoje: “Frikë kam të dal, por jam pajisur me maska, me doreza dhe dezinfektues. Më duhej të dilja për të blerë ushqime”.

Edhe të tjerë, pavarësisht se kishin dalë nga shtëpia me maska dhe doreza, ishin të vetëdijshëm për rrezikun që u kanosej. Megjithatë nevoja për t’u ushqyer i kishte detyruar të dilnin deri tek tregu i fruta-perimeve.

“Kam frikë të dal, po çfarë të bëj? Të ngordh për bukë”, tha qytetari më iniciale R.Gj. për “Faktoje”.

Grumbullimi i njerëzve shënoi kulmin gjatë mesditës, ndërkohë që orët e para të “regjimit të lëvizjes” ishin mundësia që disa shfrytëzuan për të minimizuar kontaktin me persona të tjerë.

“Dola herët në mëngjes, rreth orës 7:00 për të shmangur radhën. Po prap m’u desh të prisja 15 minuta përpara se të mbaroja punë.”, u shpreh qytetari me iniciale H.A.

Frika dhe pasiguria për të nesërmen, i ka shtyrë disa të tjerë të shtojnë blerjet e momentit të fundit, edhe pse kishin ushqime në shtëpi. S.E. i tha “Faktoje” se doli për të blerë pavarësisht se në shtëpi kishte ushqime:

“Ushqime kishim, por nuk kishim bukë dhe blemë ca gjëra të nevojshme, se kur je në shtëpi të kap paniku, sikur do ngelësh pa ushqime dhe do të marrësh sa më shumë”.

Prej orës 13:00 të së shtunës, sipas urdhërit të kryeministrit Rama ndalohet çdo lëvizje apo aktivitet përfshirë pikat e tregtimit të ushqimeve e farmacitë. Për 40 orë, deri të hënën në orën 05:00 gjithçka “paralizohet”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img