Që nga 5 shkurti, disa llogari pro-ruse po shpërndajnë imazhe që pretendojnë se dokumentojnë përdorimin e armëve kimike nga trupat ukrainase. Verifikimet zbulojnë se nuk ka asnjë provë bindëse për të mbështetur këto akuza që do të përbënin shkelje të rëndë të konventave ndërkombëtare.
Prej muajit shkurt disa llogari pro-ruse po shpërndajnë në rrjetet e tyre sociale video që pretendojnë se ushtarët ukrainas po përdorin armë kimike në luftën kundër rusëve. Ashtu si armët bërthamore edhe armët kimike janë rreptësisht të ndaluara të përdoren në luftë nga konventat ndërkombëtare dhe cilësohen si armë të shkatërrimit në masë.
Edhe pse këto pretendime nuk kanë asnjë bazë nga vëzhgimet në terren, sërish përdorues të ndryshëm në rrjet kanë shpërndarë imazhet filmike, përfshi edhe një profil shqiptar në rrjetin social Facebook.
“Ukrainasi Yuriy “The Magyar” ka publikuar një video që tregon municione kimike dhe ka “lënë të kuptohet” se ukrainasit po përgatiten të përdorin municione të ndaluara në Bakhmut (Artemovsk)”- shkruan më 7 shkurt, personi në fjalë, teksa publikon videon që ka tërhequr vëmendjen e dhjetra përdoruesve të tjerë të Facebook.
Në video shfaqet një sasi mbresëlënëse fishekësh cilindrikë kuq e zi, të rrethuar nga drone, që duket se përdoren për të transportuar bombat në zonat ku ndodhet ushtria ruse. Kontenierët cilindrikë, që presupozohet se përmbajnë lëndë kimike, shfaqen të ruajtura në një pajisje frigoriferike. Në sfond dëgjohet muzikë dhe një burrë që komenton skenën me zë të lartë.
Nga verifikimet e bëra nga kolegët tanë të France 24, është hedhur më shumë dritë se për çfarë bëhet fjalë. Gazetarët francezë kanë arritur të kontaktojnë ushtarin ukrainas, Robert Madia, i cili shfaqet në videon e publikuar, falë emrit që mban në uniformën e tij. Është vetë ky ushtar që shpjegon nëpërmjet një videoje tjetër se bëhet fjalë për mbushje eksplozivi që përgatiten për t’u transportuar me dronë dhe sulmuar mjetet ushtarake apo objektivat e tjera të armikut.
Këto të dhëna, kolegët e France 24 i kanë konsultuar me ekspertë të fushës, të cilët bien dakord se nuk bëhet fjalë për armë kimike të rrezikshme. Në një rast të tillë, ekspertët konfirmojnë se bombat nuk do të kapeshin dhe montoheshin pa asnjë masë mbrojtëse (maska apo doreza).
Sigurisht që përdorimi i armëve kimike në luftime nuk do të kalonte pa u vënë re dhe denoncur menjëherë nga rusët. Deri më sot nuk ka asnjë rast të tillë të denoncuar, qoftë edhe pa prova, nga autoritetet zyrtare ruse dhe ndërkombëtare.