Pretendimi: Kjo video tregon kryeministrin Rama duke u puthur me Youtuberin në zyrën e tij

Verdikti: Gjeneruar me AI

———————————————

Një video që ka marrë mbi një mijë pëlqime në rrjetet sociale shqipfolëse duket se tregon kryeministrin Edi Rama duke puthur personazhin e Youtube Speed gjatë vizitës së këtij të fundit në Kryeministri.

Personazhi amerikan i Youtube, Darren Jason Watkins Jr., njohur nga miliona ndjekësit e tij si Speed, vizitoi Shqipërinë në Qershor 2024. Vizita e tij përfshiu edhe një takim me Ramën në zyrën e tij në Kryeministri.

E gjithë vizita e Speed u transmetua drejtpërdrejt në kanalin e tij në YouTube. Në asnjë moment të videos nuk gjendet klipi i mësipërm që tregon dy burrat duke u puthur.

Kjo sepse video e mësipërme është gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI), me anë të të cilave mund të krijohet një video e animuar nga një foto.

Në një moment të videos, dallohet edhe foto nga e cila ajo është prodhuar. Foto është publikuar në Twitter nga Speed më 20 qershor.

Video në të majtë është gjeneruar nga foto në të djathtë duke përdorur programe AI

Faktoje ka verifikuar edhe më parë një video të presidentit francez Macron të gjeneruar në këtë mënyrë.

Për të treguar sa e thjeshtë është të gjenerosh video të tilla, ne përdorëm një foto nga 1956 të diktatorit shqiptar Enver Hoxha dhe një prej miqve të tij të afërt, diktatori kinez Mao Ce Dun. Programi AI, i cili është falas për t’u përdorur, gjeneroi këtë video romantike.