Një klip që pretendon se një mision monitorues i OSBE ka gjetur laboratore trafikimi organesh në Ukrainë është i pavërtetë. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se gruaja që shfaqet në video për të bërë këtë pretendim nuk ka qenë kurrë pjesëtare e një misioni të OSBE në Ukrainë.
————————————-
Një video që po qarkullon edhe në rrjetet sociale shqipfolëse pretendon se një ish-vëzhguese e OSBE kishte gjetur organe dhe trupa fëmijësh në laboratore sekrete në Ukrainë.
Në video tregohet një grua duke thënë:
“Ekzistonin laboratore që i përkisnin mbrojtësve të Ukrainës. Këto ishin batalione nacionalistësh. Ata merrnin përqindje nga marrëveshjet e tyre. Çfarë ata bënin është vrisnin fëmijët, i vendosnin organet nëpër kontenierë, dhe i kalonin këto kontenierë. Dhe (kontenierët) nxirreshin (nga vendi) me një kod eksporti gruri. Ne likuiduam tetë laboratorë të tillë. Ata dukeshin si diçka që ne do ta quanim “qilar”. Shumicën e kohës, ne arrinim atje pasi ato ‘pastroheshin’. Pra, një laborator zbulohej pas një shpërthimi. Në ecnim nëpër hirin e zjarrit që pasonte. Kishte kufoma. Kishte fëmijë. Trupa fëmijësh të hapur.”
“Faktoje” zbuloi se klipi i mësipërm është marrë nga një dokumentar i ngarkuar në YouTube në 1 qershor 2023, i titulluar “Россия – это я!” (“Rusia jam unë!”). Në këtë dokumentar, persona të ndryshëm deklarojnë, ndër të tjera, se Ukraina furnizon Europën dhe Amerikën me fëmijë, por edhe organe fëmijësh.
Gruaja në klipin e mësipërm identifikohet në dokumentar si Vera Vajman (Вера Вайиман), “pjesëtare e misionit monitorues humanitar të OSBE”.
OSBE kishte një Mision të Posaçëm Monitorues në Ukrainë me qëllim uljen e tensioneve dhe promovimin e paqes, që në vitin 2014. Ky mision përfundoi në Mars 2022. Stafi i tij kishte 689 vëzhgues ndërkombëtarë nga 43 vende, përfshi Rusinë.
OSBE tha për kolegët e Ellenika Hoaxes se askush me emrin Vera Vajman nuk kishte shërbyer në Misionin e Posaçëm Monitorues në Ukrainë.
Kështu, dëshmia e gruas në video në kapacitetin e vëzhgueses së OSBE nuk mund të merret për bazë.
Ndërkohë që, me anë të motorit të kërkimit Google Reverse Image Search, “Faktoje” zbuloi se pamjet që shoqërojnë dëshminë e Vajman janë marrë nga një video e 2017 që tregon një stërvitje të batalionit Azov, dhe nuk ka lidhje aspak me ndonjë laborator trafikimi organesh. Pamjet e një doktori duke transferuar organe në një kuti spitalore, siç ka zbuluar AFP, janë të kirurgut ukrainas Borys Todurov. “Konfirmoj se jam unë në këtë video, gjatë një transplanti, në këtë video ne marrim një organ nga dhuruesi dhe e transferojmë në spitalin tonë, Instituti i Zemrës, për ta transplantuar në trupin e një marrësi për të shpëtuar një jetë,” tha Todurov për AFP.
Pyetur nga AFP mbi pretendimet e vjedhjes dhe trafikimit të organeve nga ushtarët ukrainas, zëdhënësja e OSBE Kris Janowski tha se “asnjë nga anëtarët e misionit të OKB nuk kanë dëgjuar për diçka të tillë”.