.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookE rreme teoria e trafikimit të fëmijëve për të prodhuar kurën e rinisë

E rreme teoria e trafikimit të fëmijëve për të prodhuar kurën e rinisë

Në 13 mars, një ‘studiues’ i quajtur Arianit Sllamniku deklaroi në një emision televiziv mëngjesi se ekzistojnë tunele nëntokësorë për trafikimin e fëmijëve, duke përfshirë këtu dhe fëmijët azilkërkues shqiptarë që u kanë humbur autoriteteve britanike. Sipas Sllamnikut, këto fëmijë rrëmbehen nga një organizatë që i shfytëzon për rituale satanike dhe për nxjerren e adrenokromit, një substancë që përdoret nga elitat për t’u dukur të rinj.

Klipi i postuar nga Sllamniku në faqen e tij në Facebook fillon me një pyetje nga prezantuesit e emisionit: “Si funksionon ky kanal [i trafikimit të fëmijëve]?” 

Si përgjigje, Sllamniku nuk ofroi asnjë shpjegim apo provë për pretendimet e tij, por u mjaftua duke thënë: “Ka funksionuar, funksionon”.

I pasfiduar nga drejtuesit e emisionit, Sllamniku vijoi pretendimet e tij të çuditshme:

[A ka individë që janë marrë me këtë punë, me marrjen e fëmijëve?]

Patjetër është një organizatë globale e cila merret me këto punë. Ato shfrytëzojnë ato fëmijë, dhe këta persona shfrytëzohen për rituale satanike, për nxjerrjen e adenokromës, një lëng i cili rrjedh nga gjaku dhe adrenalina e fëmijëve të torturuar dhe këto përdoren për një lëng që i thonë lëng satanik, për mbajtjen e trupi të njeriut të ri. Ne kemi Celine Dion, njërën prej këngëtareve ose VIP.

[E cila për momentin ka probleme shumë të mëdha shëndetësore. Pse?]

Është mbyllja e të gjitha rrjedhjeve të kanaleve ose të trafikimit në qenie njerëzore dhe këtyre po iu shteret ai burim, ai lëngu i ripërtëritjes dhe të gjithë po bien. Të njejtën e kemi dhe me Johnny Depp, dhe me shumë këngëtarë që nuk po më vijnë tani në mend, por dy i përmenda. Ky ilaç i ripërtëritjes dita-ditës po iu shteret.

Në video përdoret edhe një hartë e rrugëve të trafikimit.

Kjo hartë është autentike, por ajo nuk tregon rrugët e trafikimit të fëmijëve nëpër tunele nëntokësorë, por kanalet e trafikimit të njerëzve nga vendet e varfra në vende të pasura. Ajo është krijuar bazuar në të dhënat e një raporti mbi trafikimin global të njerëzve të UNODC.

Sa i përket pretendimeve të Sllamnikut, duken se ato janë një transplant i huaj. Narrativa e trafikimit të fëmijëve për t’u nxjerrë adrenokromin që përdoret nga elitat për të zgjatur jetën dhe rininë e tyre u shfaq për herë të parë në 2017 në ShBA, si pjesë e teorisë konspirative QAnon. Kjo teori përshkruan ish-presidentin amerikan Donald Trump si një hero i vetëm që po luftonte një kabal elitash që ishin pedofilë dhe vrasës fëmijësh. QAnon premtonte se këta komplotistë do të ekspozoheshin dhe ndëshkoheshin së shpejti në një “stuhi” që po vinte.

Në 2020, qarkulloi në internet një lajm i rremë që pretendonte se ushtria amerikane kishte shpëtuar 35 mijë fëmijë nga tunele nëntokësore në New York. Kolegët e Reuters e kanë përgënjeshtruar këtë lajm. Institucionet zyrtare të New York si Shërbimi i Familjes dhe Fëmijëve dhe Departamenti i Policisë së qytetit e kanë mohuar vërtetësinë e këtij lajmi.

Një variant i hershëm i kësaj teorie konspiracioni, Pizzagate, pretendon se pjesëtarët e Partisë Demokrate të ShBA dhe disa restorante amerikanë ishin të përfshirë në një ring trafikimi fëmijësh dhe pedofilie. Ndikuar nga kjo teori, në 4 dhjetor 2016, një burrë nga North Carolina shkoi në picerinë Comet Ping Pong dhe shtiu me armë.

Në të vërtetë, rrethanat dhe qëllimet e trafikimit të fëmijëve janë më banale. Sipas organizatës Save the Children, shumica e fëmijëve trafikohen nga dikush që i njeh, si një shok, pjesëtar familjeje, ose partner romantik. Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) raporton se vajzat minorene trafikohen kryesisht me qëllime shfrytëzimin seksual, ndërsa djemtë minorenë përdoren për punë të detyruar.

Sa i përket adrenokromit, kjo substancë prodhohet nga oksidimi i adrenalinës. Ajo është studiuar në vitet 1950-70, por sot nuk ka asnjë përdorim mjekësor. Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) nuk e ka aprovuar përdorimin e adrenokromit. Mbi të gjitha, nëse një kabal elitash do ta donte gjithsesi këtë substancë të deklaruar të padobishme nga shkenca, nuk do t’i duhej të rrëmbenin fëmijë nëpër tunele nëntokësore për ta përftuar atë. Adrenokromi mund të krijohet në laborator, madje mund të blihet në internet lehtësisht.

Joseph A. Schwarcz, drejtori i Zyrës për Shkencën dhe Shoqërinë në Universitetin McGill, shkruan se teoria konspirative e adrenokromit ka ngjyrime anti-Semite, duke cituar një histori të gjatë të akuzave se hebrenjtë përdorin gjakun e fëmijëve të krishterë në ritualet e tyre fetare. Këto akuza kanë shërbyer historikisht për të justifikuar dhe nxitur persekutimin e hebrenjve në Europë.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img