Në rrjete sociale është rikthyer pretendimi se ish-presidenti amerikan Barak Obama ka lidhje gjaku me Adolf Hitler dhe me ish-kancelaren gjermane Angela Merkel. Teori të tilla konspirative kanë nisur vite më parë, kur Obama shpalli kandidaturën për president.
Përdoruesit e rrjeteve sociale kanë risjellë së fundmi pretendimin e hershëm se ish-presidenti amerikan Barak Obama ka lidhje gjaku me Adolf Hitler si dhe me ish-kancelaren gjermane Angela Merkel.
“Ja një përmbledhje e asaj që mësuam për Barack Obamën:
1. Nëna e Barack është Ann Dunham.
2. Ann Dunham është një nga katër vajzat e Adolf Hitlerit.
3. Kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministrja britanike Theresa May dhe presidentja lituaneze Dalia Grybauskaite këto janë tre vajzat e tjera të Adolf Hitlerit.
Këto tri gra janë edhe tezet e Barack Obamës.”- shkruan ndër të tjera një faqe në rrjetin social Facebook, duke theksuar se këto janë arsyet që Obama nuk duhet të ishte zgjedhur president i SHBA-ve.
Fotografi e shkëputur nga profili Patriotet E Botes Re, 14 shkurt 2024
Kjo nuk është hera e parë që origjina e ish presidentit amerikan bëhet fryt i teorive konspiracioniste. Pretendime të ngjashme rreth tij kanë qarkulluar që prej kohës kur Obama nisi fushatën presidenciale në vitin 2008. Edhe aso kohe, republikanët nxitën në fushatë teori konspirative që lidheshin kryesisht me shtetësine e Obamës dhe përkatësinë e tij fetare për të treguar se ai nuk duhet të zgjidhej president i SHBA-ve.
Të gjitha këto pretendime nuk kanë asnjë bazë logjike duke përllogaritur diferencat në moshë të këtyre politikanëve përtej mungesës së provave konkrete për të mbështetur këtë teori. Sipas dokumentave zyrtare, prindërit e ish-presidentit amerikan quheshin Barak Hussein Obama dhe Stanley Ann Dunham.
Sipas dokumentave zyrtarë, mamaja e Obamës lindi në 29 nëntor 1942 në ShBA si fëmija i vetëm i Stanley Armour Dunham, një shitës mobiljesh dhe Madelyn Lee Payne, një punonjëse banke. Nuk ka asnjë të dhënë të besueshme se gjyshja e Obamës, punonjëse banke në Kansas të ketë patur mundësi të udhëtonte në shkurt 1942, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore në Gjermani apo ketë patur ndonjë lidhje në distancë me Adolf Hitler.
Sigurisht që nuk ka asnjë provë tjetër të qenësishme për të mbështetur një lidhje motrash mes nënës së Obamës dhe Angela Merkel e lindur në vitin 1954 në Hamburg, 9 vite pas vetëvrasjes së Hitlerit në bunkerin e tij në Berlin, pak para mbërritjes së trupave sovjetike.
Zanafilla e kësaj teorie mund të gjendet tek lajmi i publikuar në vitin 2009 nga një grup studiuesish në SHBA, të cilët publikuan dokumente që vërtetojnë rrënjët gjermane në linjën e prejardhjes së nënës së Obama. Sipas të dhënave në databazën e gjenealogjisë Ancestry.com, stërgjyshi i gjashtë i Obamës, Johann Conrad Woelflin, i lindur në Besigheim, një qytet i vogël në veri të Shtutgartit, mbërriti në ShBA në vitin 1750 duke sjellë në jetë linjën trashëgimtare nga buron Ann Dunham, nëna e Barack Obama.