Foto e një burri gjysmë të zhveshur të rrethuar nga vajza të vogla po qarkullon në internet si provë që i biri i presidentit amerikan Joe Biden është pedofil. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se foto në fjalë është postuar në internet që në 2020 dhe nuk ka të bëjë aspak me Biden.
—————————
Një kronikë e televizionit rus “Pervý kanal” prezanton foton e një burri të shtrirë, të rrethuar nga vajza të vogla, duke pretenduar se ai eshtë Hunter Biden, i biri i presidentit amerikan Joe Biden.
Kronika po qarkullon edhe në rrjetet sociale shqipfolëse, duke përsëritur pretendimin se Hunter Biden dhe familja e tij “i përket rrjetit të pedofilëve”.
Siç vërehet, fytyra e burrit në foto nuk dallohet nëse është ajo e Hunter Biden apo dikujt tjetër.
“Faktoje” zbuloi se foto e mësipërme është postuar fillimisht në një forum online në 2020, dhe postuesi nuk e ka identifikuar burrin si Biden, dhe nuk ka përmendur Hunter Biden askund.
Forumi ku është postuar fillimisht foto
Duket se pretendimi se kjo foto është e Hunter Biden e ka patur origjinën në forumin konspirativ r/conspiracy_commons në Reddit, në Korrik të 2022. Foto u postua në këtë forum me përshkrimin “iphone nga ferri” duke aluduar se foto ishte marrë nga hakerimi i pretenduar i llogarisë iCloud të Hunter Biden në Korrik 2022.
Postimi në Reddit
Megjithatë, postimi u fshi nga forumi i konspiracionistëve pasi disa komentues vërrejtën se foto ishte postuar në internet që në Janar 2020, pra përpara hakerimit të pretenduar të Hunter Biden.
Si përfundim, nuk ka prova që burri në foto, fytyra e së cilit nuk dallohet nga këndi i pamjes së shikuesit, është Hunter Biden, i biri i presidentit amerikan Joe Biden.