Foto e burrit që pretendohet se është shpëtuar pas katër muajsh nën rrënojat e tërmetit në Siri është e vjetër. Ndërkohë, lajmi i shpëtimit të një burri nga rrënojat mbetet i pakonfirmuar.

———————

Në 17 maj 2023, filloi të shpërndahej një lajm pretendonte se një burrë ishte nxjerrë i gjallë nga rrënojat e tërmetit në Siri pas 4 muajsh. 

Ky lajm duket se është shpërndarë fillimisht në hapësirën mediatike shqipfolëse nga Telegrafi, duke qenë se të gjithë artikujt e tjerë citojnë atë. 

Megjithatë, duket se kjo media tanimë e ka fshirë artikullin e mësipërm. Lidhja e mësipërme nuk të dërgon në artikullin për nxjerrjen e burrit nga rrënojat, por në një artikull të para 4 javëve që njofton për rritjen e numrit të viktimave të tërmetit në Turqi.

Përballë një lajmi kaq të pabesueshëm, “Faktoje” vendosi të kërkonte fillimisht në mediat botërore për ndonjë lajm të tillë. Duket se e vetmja agjenci lajmesh që e ka raportuar ngjarjen është agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, e cila citon median iraniane Akhbar Fouri.

Artikulli i TASS thotë se Akhbar Fouri ka botuar një video të burrit të shpëtuar ku ai duket tejet i dobët, me një mjekër të dendur. Por, në kanalin e Telegram të Akhbar Fouri, nuk gjendet një video e tillë, ndërsa në llogarinë e tyre në Instagram e tyre tregohet vetëm një foto e një burri, e cila më pas është shpërndarë në mediat e tjera, përfshirë edhe ato shqiptare.

Për të gjetur origjinën e kësaj fotoje, “Faktoje” përdori motorin e kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search

Nga ky kërkim rezultoi se lajmi se burri në foto ishte shpëtuar rishtazi në Siri është përgënjeshtruar nga kolegët e An Nahar, një gazetë libaneze e botuar në gjuhën arabe.

Sipas An Nahar, pasi foto e mësipërme u shpërnda gjerësisht në rrjet, disa përdorues e identifikuan burrin në foto si “Ahmed al-Sousi nga qyteza e Khan Shaykhun, i cili jeton në kampin ëatan në Kafr Jals, Idlib, Siri.“

Shtyrë nga këto komente, An Nahar arriti të kontaktonte kushëririn e al-Sousit në Siri, i cili konfirmoi informacionin e mësipërm. Ai shtoi dhe se al-Sousi vuante nga psoriasis, një sëmundje lëkure. Për më tepër, foto që po qarkullon në media, tha ai, është e shtatë viteve më parë.

Ai i dërgoi An Nahar edhe një foto të kartës së identitetit së al-Sousi, si dhe një foto të tij që e kishte shkrepur në çast, ku ai tregon shenjat e psoriasis në parakrah.

Ahmed al-Sousi

Sëmundja e al-Sousi nuk është e kurueshme, dhe, në rastin e tij, “ai duhet të marrë një doze mjekimi çdo 45 ditë për të trajtuar simptomat e psoriasis.” Kushëriri i tij tha për An Nahar se kjo sëmundje ka bërë që Ahmedi të mos i lëvize dot gishtat dhe të ecë me vështirësi nga njëra këmbë.

Ndërkohë, lajmi për nxjerrjen e një të mbijetuari nga rrënojat e tërmetit pas 4 muajsh mbetet i pakonfirmuar.