Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, ku aludohet se ka pasur një përplasje mes zjarrfikësve dhe policisë në Francë, janë të ricikluara. Faktoje verifikoi se video i përket vitit 2020, gjatë një proteste të zjarrfikësve, të cilët kërkonin kushte më të mira pune dhe rritje të pagesës
Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale pretendohet se në valën e protestave që kanë përfshirë Francën kundër planit të presidentit francez Emmanuel Macron për të rritur moshën e pensionit, ka pasur një përplasje mes policisë dhe zjarrfikësve.
“Protestat në Francë vazhdojnë pavarësisht se edicionet e lajmeve nuk na tregojnë shumë. Interesant në videon më poshtë është se si Policët (pjesë e administratës) përplasen me zjarrfikësit (pjesë e administratës shtetërore gjithashtu). Një popull që di se përse dhe kur të protestojë për të drejtën e tij, pavarësisht rethanave”, shkruajnë ndjekësit në rrjetet sociale.
Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
Nëse do të bëjmë një kërkim të thjeshtë në internet shihet që video është shpërndarë fillimisht nga agjencia franceze e lajmeve “Hors-Zone Press”, që në janar të vitit 2020.
Sipas një raporti të Reuters, përleshja e vitit 2020 shpërtheu pasi zjarrfikësit francezë po protestonin për kushtet e tyre të punës dhe kërkonin rritje pagash.
Departamenti i policisë së Parisit njoftonte asokohe se policia kishte ndërhyrë, pasi disa qindra protestues ishin shkëputur nga turma kryesore, ndërsa të tjerë ishin përpjekur të thyenin barrierat e vendosura si masë sigurie.
Pra, ndryshe nga çfarë pretendojnë përdoruesit e rrjeteve sociale, pamjet janë të ricikluara dhe janë risjellë në vëmendje duke parë zhvillimet e fundit në Francë.
Duhet të nënvizojmë se qindra mijëra protestues marshuan javët e fundit kundër planit të Macron dhe u regjistruan përleshje të dhunshme me policinë.