Pretendimi: Kjo karikaturë e presidentit francez Macron është vendosur përballë Kullës Eifel përpara Lojërave Olimpike
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————
Përpara nisjes së Lojërave Olimpike në Korrik 2024, në rrjete sociale po qarkullon, si të ishte e kohëve të fundit, foto e një karikature të presidentit francez Emmanuel Macron e vendosur përballë Kullës Eifel.
Këtë korrik Parisi do të jetë vendi organizator i Lojërave Olimpike 2024 dhe ka nisur të bëjë publike shtimin e masave të sigurisë për mbarëvajtjen e këtij eventi të rëndësishëm.
Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se karikatura e mësipërme është e vjetër.
Ajo u vendos në urën Pont d’Iéna, që lidh Kullën Eifel me lagjen Trocadero, më 3 prill 2022.
Në videon e mësipërme, ngarkuar në platformën e ndarjes së videove Odysee më 4 prill 2022, tregohet shpalosja e karikaturës nga dy protestues antiqeveritarë. Brenda pak minutash, në vendngjarje mbërrin një makinë policie, dhe oficerë policie shihen teksa konfiskojnë karikaturën e braktisur. Pankarta ku ajo ishte printuar ishte aq e madhe sa policëve u duhet ta sharrojnë në dysh për ta futur në makinë.
Kështu, karikatura e mësipërme është shpalosur përballë Kullës Eifel mbi një vit më parë. Brenda pak minutave, ajo u konfiskua dhe shkatërrua nga policia.
Si rrjedhim, pretendimi se kjo karikaturë është vendosur përballë Kullës Eifel përpara Lojërave Olimpike është i pavërtetë. Ky riciklim vjen mes një vale postimesh dhe meme-sh në rrjet ndaj presidentit francez dhe gruas së tij, të pompuara nga propaganda ruse, pas deklaratës së Macron për mundësinë e përfshirjes së trupave ushtarake në territorin ukrainas.