Pretendimi: Kjo foto tregon përmbytje në një qytet gjerman në qershor 2024.
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————
Artikulli i portalit kercova.net jep lajmin se një qytet gjerman ka shpallur “gjendjen katastrofale” si pasojë e reshjeve të rënda dhe të vazhdueshme.
Artikulli flet për qytetin e Regensburgut në Gjermani i cili shpalli gjendjen e jashtëzakonshme më 4 qershor pas përmbytjeve që shkaktoi fryrja e lumit Danub në Gjermaninë jugore. Imazhi i makinave të marra përpara nga reshjet dhe tonet bombastike në titull kanë ndikuar që artikulli i ndarë në Facebook të ketë mbi 454 mijë shikime në pak ditë.
Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se foto e përdorur në artikull nuk tregon pamje nga përmbytjet në Gjermani.
Faktoje gjeti se foto e mësipërme është nga 10 vite më parë, dhe tregon pamje nga përmbytjet në Genoa, Itali në Tetor 2014.