BallinaFaktometerE PavërtetëE pavërtetë deklarata e Vokshit se 4 pacientë humbën jetën nga mungesa e energjisë në QSUNT

E pavërtetë deklarata e Vokshit se 4 pacientë humbën jetën nga mungesa e energjisë në QSUNT

Të hënën e 8 prillit, deputetja e PD, Albana Vokshi deklaroi në Komisionin e Shëndetësisë se 4 persona kishin humbur jetën si pasojë e ndërprerjes së energjisë në një nga pavionet e QSUNT.  Nga verifikimi i Faktoje bazuar në disa burime të identifikuara dhe vetë kolegë të deputetes Vokshi, deklarata e saj rezulton të jetë e pavërtetë dhe dezinformuese.

Gjatë mbledhjes së Komisionit të Shëndetësisë të mbajtur më 8 prill, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, duke iu referuar burimeve që nuk i identifikoi brenda QSUNT, deklaroi:

“Sipas këtij informacioni, që është informacion i brendshëm (një punonjës që punon në QSUNT), duke u gdhirë e premtja, në QSUNT kanë ikur dritat për më shumë se 2 orë. Sipas këtij punonjësi, ka pasur 4 të sëmurë që kanë humbur jetën gjatë periudhës që nuk ka pasur drita, sepse kanë qenë të intubuar”, deklaroi Vokshi.

Pas kësaj deklarate të Vokshit, i menjëhershëm ishte reagimi i kolegut të saj demokrat, Tritan Shehu, i pranishëm në mbledhje, përkrah Vokshit. Ish-ministri i Shëndetësisë konfirmoi problemet me energjinë, por duke iu referuar personelit të spitalit mohoi të kishte pasur humbje jete për këtë shkak.

“Që ditën e premte ka pasur një situatë jo të zakonshme në reanimacionet e QSUNT, është e vërtetë. Së dyti dua të tregoj rolin mjaft aktiv që patën mjekët e shërbimit të reanimacionit, mjekët reanimatorë që bënë që situata të kalojë pa dëme njerëzore”- theksoi Tritan Shehu në Komisionin e Shëndetësisë,

I kontaktuar nga Faktoje për më shumë hollësi në lidhje me këtë ngjarje, zoti Shehu sqaroi se ka pasur komunikim me kolegët dhe nuk rezulton të ketë pasur humbje jete të pacienteve.  

“Nga informacionet që kam marrë nga kolegët e mi, nuk më rezulton të ketë pasur humbje jete. Ka pasur shkëputje të energjisë, ka pasur gjendje alarmi, por mjekët e kanë menaxhuar mirë. Kanë kaluar në sisteme manuale, me bateri”, deklaroi Shehu për Faktoje.

Faktoje, kontaktoi burimet zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë të cilët pranojnë problemin me energjinë elektrike për 2 orë, por pa pasoja për jetën e pacientëve.

“Nuk është e vërtetë që kanë humbur jetën 4 persona. Ka pasur luhatje të energjisë elektrike për 2 orë, por nuk ka pasur viktima”, konfirmuan burime zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë.

I kontaktuar nga Faktoje, shefi i Shërbimit të Anestezi-Reanimacionit, Krenar Lilaj deklaroi se ka bërë një relacion mbi situatën e krijuar, të cilin e ka dorëzuar në drejtorinë e QSUNT, por nuk dha hollësi të tjera.

“E kam bërë relacionin tim në drejtori mbi çështjen dhe e kam dërguar atje”, tha mjeku.

Deklarata për mediat e QSUNT

Nëpërmjet një reagimi zyrtar, Qendra Spitalore Universitare, “Nënë Tereza” publikoi një deklaratë për mediat në lidhje me situatën e datës 5 prill.

“Në datë 5 Prill, në orën 1:30 të mëngjesit, punonjësit teknikë të shërbimit 24 orësh kanë konstatuar luhatje të energjisë elektrike pranë Shërbimit të Reanimacionit Qendror. I menjëhershëm ka qenë reagimi i teknikëve shtesë të gatishmërisë së QSUNT-së të cilët në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i kanë dhënë zgjidhje kësaj problematike duke bërë të mundur rikthimin e furnizimit me energji elektrike dhe normalizimin e situatës.

QSUNT sqaron opinionin publik se nuk ka asnjë të vërtetë sikurse është raportuar ditën e sotme për humbje jete të pacientëve dhe se shërbimi ndaj tyre nuk është cënuar në asnjë moment”, njoftoi QSUT më 8 prill.

Pas këtyre reagimeve, nuk ka patur një deklaratë tjetër të anëtares së Komisionit të shëndetësisë Albana Vokshi mbi pretendimin për vdekjen e 4 pacientëve.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që deklaratën e deputetes së PD, Albana Vokshi se 4 pacientë të intubuar kanë humbur jetën gjatë periudhës që nuk ka pasur drita në QSUNT, ta kategorizojmë të Pavërtetë.

Lexo edhe:

17 milionë euro investim, urgjenca  QSUT jo funksionale

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img