Zbarkimi i njerëzve në Hënë ka qenë shënjestër e teorive konspirative që në mesin e viteve 1970. Një klip i presidentit amerikan Nixon ku ai tregohet duke telefonuar astronautët e Apollo 11, ndërsa në mur qëndron varur një foto e Tokës e kapur nga Hëna, po përdoret për të ushqyer këto teori. Verifikimi i “Faktoje” e rivendos këtë klip në kontekstin e munguar.
—————————————–
Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon një video e presidentit amerikan Richard Nixon duke folur në telefon me astronautë që kanë mbërritur në Hënë. Në një përpjekje për të hedhur dyshim mbi vërtetësinë e kësaj ngjarjeje, klipi shoqërohet nga studiuesi i teorive konspiracioniste Arianit Sllamniku me përshkrimin: “Presidenti Nixon po flet përmes telefonit me tela me astronautët, të cilët sapo arritën në hënë! Nejse telefoni me tela deri në hënë është pikëpyetje por derisa ai po fliste me astronautët nga Shtëpia e Bardhë, shiheni se çfarë fotografie ka në murë?”
Video ngre pyetjen se si është e mundur që presidenti ka të varur në mur Tokën të fotografuar nga Hëna, nëse astronautët me të cilët ai po flet në video ishin të parët që kishin zbarkuar në Hënë, ndërsa përshkrimi ngre edhe pyetjen se si ka mundësi që Nixon po flet përmes telefonit me tela me astronautët në Hënë.
Në këtë artikull, “Faktoje” do të përpiqet t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve.
Si fillim, le të vendosim klipin në kohë. Telefonata e treguar në video, sipas Arkivit Kombëtar amerikan, ndodhi më 20 korrik 1969, kur astronautët Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin u bënë njerëzit e parë që shkelën në Hënë.
Si ndodhi telefonata Tokë-Hënë?
Siç shpjegohet në këtë video nga Fondacioni Richard Nixon, komunikimi u krye me anë të transmetimit radiotelefonik. Sinjali kaloi nga Shtëpia e Bardhë, tek Qendra Hapësinore Goddard në Maryland, tek stacioni i NASA në Texas, tek një satelit mbi Oqeanin Paqësor, tek një stacion gjurmues në Australi, dhe më pas ky i fundit e transmetoi me anë të valëve radio në Hënë.
Ky lloj komunikimi nuk ishte i pazakontë në misionet hapësinore. Komunikimi me anë të transmetimit radiotelefonik ishte mënyra bazë e komunikimit mes misioneve hënore dhe Tokës. Dërgimi i njerëzve në Hënë kërkonte shpërthimin më të vrullshëm në progres teknologjik dhe shpenzimin më të madh (164 miliardë dollarë me kursin e sotëm) të bërë ndonjëherë nga një shtet në kohë paqeje.
Si shpjegohet fotografia e Tokës?
Fotografia e varur në murin e Zyrës Ovale është përshkruar si “fotografia me ndikim më të madh që është shkrepur ndonjëherë”. Ajo është aq e famshme sa tashmë njihet me emrin e përveçëm “Lindja e Tokës” (Earthrise).
Kjo fotografi u shkrep në 24 dhjetor 1968, gati gjashtë muaj përpara se të shfaqej në murin e Nixon ndërsa ai fliste në telefon me ekipin e Apollo 11, në 1969.
Fotografia u shkrep nga astronauti William Anders gjatë misionit Apollo 8, udhëtimi i parë me ekuipazh që orbitoi Hënën, përpara se ekipi i Apollo 11 të shkelnin në sipërfaqen e saj në 1969.
Në fakt, efekti i “lindjes së Tokës” i kapur në këtë foto mund të shihej vetëm sepse anija hapësinore ishte duke lëvizur mbi siperfaqen e Hënës. Nëse foto do të ishte kapur nga vetë sipërfaqja e Hënës “lindja e Tokës” nuk do të ngjasonte me “lindjen e Hënës” siç vëzhgohet nga Toka. Përgjithësisht, e parë nga sipërfaqja e Hënës, Toka nuk do të lëvizte në qiell, por qëndron pak a shumë fikse në të njejtin pozicion.