Kurorëzimi i mbretit anglez Charles më 6 maj 2023 ka ringjallur nëpër rrjet një teori se Charles, si e ëma Elizabeth, është pasardhës i profetit mysliman Muhamed. Verifkimi i “Faktoje” zbuloi se nuk ka prova që ta mbështesin këtë teori.

——————–

Një teori e vjetër se familja mbretërore e Mbretërisë së Bashkuar janë pasardhës të drejtpërdrejtë të profetit Muhamed po riqarkullon në rrjete sociale, duke përfshirë edhe ato shqipfolëse.

Ky pretendim u prezantua për herë të parë në 1986 nga gjeneologu i familjes mbretërore, Harold Brooks-Baker nga Burke’s Peerage.

Në një letër drejtuar kryeministres së atëhershme Margaret Thatcher, Brooks-Baker shkroi: “Pak britanikë e dinë që gjaku i Muhamedit rrjedh në venat e mbretëreshës. Megjithatë, krerët fetarë myslimanë janë krenarë për këtë fakt.”

Sipas kësaj teorie, familja mbretërore lidhet me profetin Muhamed përmes një princeshe myslimane të shekullit XI e quajtur Zaida, e cila u zhvendos për t’u ikur sulmeve Berbere nga Sevilla në oborrin mbretëror të mbretit Alfonso VI i Castilla, ku u konvertua në e krishterë dhe pati një fëmijë me Alfonson. Një nga pasardhësit e Zaidës pretendohet se u martua me një nga paraardhësit e familjes mbretërore në shekullin XIV.

Megjithatë, prejardhja e Zaidës mbetet e paqartë. Në disa versione ajo është e bija e Muatamid bin Abbad, një kalif me prejardhje nga profeti Muhamed, ndërsa në disa versione ajo u martua në familjen e tij.

Megjithatë, kur u kontaktua nga Snopes dhe Middle East Eye, Burke’s Peerage, autoriteti gjenealogjik që përdoret si burimi origjinal për këtë teori, tha se “fatkeqësisht, ne nuk kemi informacion gjenealogjik për këtë. Ne nuk kemi qenë burimi fillestar, megjithëse kjo është përsëritur në mënyrë jo të saktë përgjatë viteve.” 

Kështu, deri tani, kjo teori, sado intriguese, mbetet e pa provuar.